
“Lartit nuk i erdhi mirë që rrahën Klevion”, Artan Tafani rrëfen për tritolin që iu vendos Noizyt: kërkoi ta hidhja brenda në lokal, ndeza fitilin dhe ika (dëshmia)
Në dëshminë e dhënë për SPAK, Artan Tafani ka rrëfyer detaje për vendosjen e një sasie eksplozivi në një lokal, ngjarje e lidhur me konfliktet mes personave të ndryshëm.
Sipas tij, tritoli ishte siguruar në Tepelenë dhe ishte ndarë në sasi 100–200 gramëshe, të cilat u përgatitën dhe u transportuan me makinë.
Ai deklaron se fillimisht ishte planifikuar vendosja e eksplozivit brenda lokalit, por më pas vendimi ndryshoi gjatë momentit të ekzekutimit.
“E dinte Lulzim Spahia lokalin. Shkuam atje, parkova afër lokalit. Laerti na tha ta hidhnim brenda në lokal tritolin.”
Ai shton se nuk arriti të gjente hyrjen në katin e dytë dhe më pas vendosi eksplozivin te një dyqan rrobash në katin përdhes.
“E vura te dera, ndeza fitilin dhe ika”, thuhet në dëshminë e tij.
Në pyetjet e SPAK-ut, Tafani sqaron se vendimi për vendosjen e eksplozivit ishte marrë nga Laert Haxhiu, ndërsa thekson se ai vetë ka kryer vendosjen fizike.
Sipas dëshmisë, ai pretendon se ishte informuar për lëvizjet dhe objektivin nga Laerti dhe Lulzim Spahia.
Në lidhje me këngëtarin Noizy, ai deklaron se konflikti lidhej me përplasjet e mëparshme dhe se informacionet për aktivitetet e tij ishin marrë nga rrjetet sociale.
“Si u mor vesh për Kleviol Ahmetin? Nga TikTok‑u, sepse Laerti e ndiqte shpesh Kleviolin”, thuhet në dëshmi.