
EMRAT/ Trafikuan fëmijë në Greqi dhe drogë në Gjermani, ekstradohen drejt Shqipërisë Mustafa Saliu dhe Florjan Musaj
Dy persona të dënuar nga drejtësia shqiptare janë ekstraduar drejt vendit tonë nga Greqia dhe Gjermania, në kuadër të operacioneve të koordinuara nga Interpol Tirana.
Nga Greqia u ekstradua Mustafa Saliu, i dënuar me 18 vite burg nga Gjykata e Durrësit për veprën penale “trafikimi i fëmijëve”, kryer në bashkëpunim dhe nëpërmjet dhunës.
Sipas dosjes hetimore, gjatë viteve 2001–2002, ai në bashkëpunim me persona të tjerë trafikonte fëmijë nga Shqipëria drejt Greqisë, ku më pas shfrytëzoheshin për lypje në rrugët e Athinës, nën presion dhe kontroll të vazhdueshëm.
Ndërkohë, nga Gjermania u transferua për të vuajtur dënimin në Shqipëri edhe Florjan Musaj, i njohur edhe me mbiemrin Cojocareanu. Ai është dënuar me 8 vite e 10 muaj burgim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, të kryer në Gjermani.
Operacionet u realizuan nga strukturat e Interpol Tirana në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese të Greqisë dhe Gjermanisë.