
Shqiptari kapet me 167 kg hashash në Janinë, tentoi arratisjen me manovra të rrezikshme
Policia greke ka arrestuar një shqiptar në Janinë, pasi u kap duke transportuar një sasi të madhe kanabisi me makinë. Sipas autoriteteve, ndaj tij janë ngritur akuza për trafik droge, drejtim të rrezikshëm të mjetit, falsifikim dokumentesh dhe shkelje të ligjit për të huajt.
Ngjarja ndodhi në një zonë të Janinës, ku efektivët e policisë identifikuan një automjet me targa të huaja dhe tentuan ta ndalonin për kontroll. Por shoferi nuk iu bind urdhrit të policisë dhe u përpoq të largohej me shpejtësi, duke kryer manovra të rrezikshme dhe duke hyrë disa herë në sens të kundërt të lëvizjes.
Pas një ndjekjeje të shkurtër, policia arriti të ndalojë automjetin dhe të arrestojë drejtuesin e tij. Gjatë kontrollit në makinë u gjetën 28 pako me kanabis të papërpunuar, me peshë totale 167 kilogramë e 200 gramë, të cilat u sekuestruan menjëherë.
Hetimet zbuluan gjithashtu se automjeti kishte targa të falsifikuara, ndërsa i arrestuari nuk dispononte dokumentacion të rregullt për hyrjen dhe qëndrimin e ligjshëm në Greqi.
Shqiptari pritet të dalë para Prokurorisë së Shkallës së Parë në Janinë, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit të trafikut të drogës.