
Shqipëria dhe vendet e Bashkimit Europian po përballen me një krizë gjithnjë e më të thellë demografike, teksa numri i lindjeve po bie ndjeshëm nga viti në vit. Të dhënat më të fundit të publikuara nga INSTAT dhe Eurostat tregojnë një tablo shqetësuese për të ardhmen e popullsisë dhe strukturës familjare.
Sipas raportit “Treguesit Demografikë 2025 dhe T1 2026” të INSTAT, qarku me numrin më të lartë të lindjeve në Shqipëri mbetet Tirana, e ndjekur nga Fieri dhe Durrësi. Në anën tjetër, qarqet me më pak lindje janë Gjirokastra dhe Kukësi.
Ndërkohë, numri më i lartë i vdekjeve është regjistruar në Tiranë, Fier dhe Elbasan, ndërsa Kukësi dhe Dibra rezultojnë me numrin më të ulët të vdekjeve.
Raporti evidenton se Shqipëria po përjeton një rënie të vazhdueshme të lindshmërisë, ndërsa emigracioni dhe plakja e popullsisë po ndikojnë drejtpërdrejt në tkurrjen e familjeve dhe ndryshimin e strukturës demografike në vend.
Në vitin 2025, vendi regjistroi një shtesë natyrore pozitive prej vetëm 1.147 personash. Por situata është përkeqësuar në tremujorin e parë të vitit 2026, ku bilanci demografik ka kaluar në vlerë negative, me 368 vdekje më shumë sesa lindje.
Po ashtu, më 1 janar 2025, popullsia e Shqipërisë zbriti në 2.363.314 banorë, duke shënuar një rënie prej 1,2% krahasuar me një vit më parë.
Fenomeni nuk prek vetëm Shqipërinë. Edhe vendet e Bashkimit Europian po përballen me rënie të lindjeve dhe plakje të popullsisë. Sipas Eurostat, vetëm 23.4% e familjeve në BE kishin fëmijë gjatë vitit 2025. Nga 203.1 milionë familje në total, vetëm 47.4 milionë përfshinin fëmijë.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse trendi vijon me këto ritme, shumë vende europiane, përfshirë Shqipërinë, mund të përballen me mungesë të fuqisë punëtore, rritje të barrës sociale dhe plakje të theksuar të popullsisë në dekadat e ardhshme.