
Çmimi i karburanteve/ Shoqatat e transportit kërkojnë zgjatjen me 3 muaj të kompensimit të naftës
Shoqatat e transportit publik në vend kanë kërkuar zyrtarisht nga qeveria zgjatjen edhe me tre muaj të skemës së kompensimit të naftës, për shkak të çmimeve të larta të karburanteve që vijojnë të rëndojnë aktivitetin e operatorëve.
Sipas përfaqësuesve të sektorit, rritja e çmimeve që prej nisjes së konfliktit në Iran ka sjellë kosto të papërballueshme për transportin urban, rrethqytetas dhe ndërqytetas, duke rrezikuar vazhdimësinë normale të shërbimit për qytetarët.
Në mbledhjen e fundit, qeveria miratoi kompensimin e naftës me 50 lekë për litër për periudhën mars–maj 2026. Ndërsa tashmë Shoqata e Transportit Publik Qytetas ka kërkuar që kjo masë të vijojë edhe për muajt korrik–shtator, me të njëjtat kritere dhe procedura si skema aktuale.
Në letrën drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe pushtetit vendor, operatorët theksojnë se karburanti mbetet një nga kostot kryesore të aktivitetit dhe se çmimet e larta po vështirësojnë përmbushjen e detyrimeve financiare.
Shoqatat paralajmërojnë se pa mbështetje shtesë mund të ketë reduktim të flotës së autobusëve dhe ulje të frekuencës së shërbimit, çka do të ndikonte drejtpërdrejt te qytetarët dhe përballueshmëria e transportit publik.
Operatorët kujtojnë gjithashtu se gjatë vitit 2022, në kulmin e krizës së çmimeve, qeveria aplikoi një skemë më të gjerë kompensimi, duke subvencionuar naftën me 100 lekë për litër për një periudhë 6‑mujore.
Mospërmbushja e kërkesave të sektorit kishte sjellë edhe protesta nga operatorët, të cilët më herët reduktuan me rreth 60% numrin e autobusëve në qarkullim në Tiranë dhe disa qytete të tjera, duke bllokuar përkohësisht transportin publik.