
Shqipëria ngjitet sonte në skenën më të madhe europiane të muzikës, teksa Alis Kallaçi do të performojë këngën emocionuese “Nân” në gjysmëfinalen e dytë të Eurovision Song Contest 2026.
Artistit shqiptar i duhet mbështetja maksimale e diasporës, pasi rregullorja e festivalit nuk lejon votimin nga brenda territorit të Shqipërisë. Kualifikimi në finalen e madhe mbetet kështu në duart e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Mbrëmjen e djeshme u zhvillua gjysmëfinalja e parë, ku siguruan biletën për në finale Greqia, Finlanda, Belgjika, Suedia, Moldavia, Serbia, Kroacia, Polonia, Lituania dhe Izraeli. Ndërkohë, finalja e madhe e Eurovisionit do të mbahet më 16 maj.
Sonte, përveç Shqipërisë, në skenë do të ngjiten edhe përfaqësuesit e Bullgarisë, Azerbajxhanit, Rumanisë, Zvicrës, Austrisë, Ukrainës, Norvegjisë dhe shumë vendeve të tjera.
Të gjithë sytë dhe emocionet sonte janë te Alis dhe “Nân”, me shpresën që Shqipëria të sigurojë një vend në natën finale të festivalit europian.