
Një skemë e dyshuar për përvetësimin e 69 milionë lekëve të rinj nga Filiali i Postës Shqiptare në Durrës është zbuluar pas një kontrolli të brendshëm, ku rezultoi se mandate-pagesa të regjistruara në sistem si kalime fondesh drejt degëve Shijak dhe Krujë nuk kishin mbërritur kurrë në arkat përkatëse.
Sipas dosjes së Prokurorisë, fondet ishin të destinuara për pagesën e ndihmës ekonomike dhe skemave të tjera sociale, ndërsa dyshimet janë ngritur ndaj tre punonjëseve të Postës së Durrësit: drejtoreshës së filialit Elisabeta Mataj, shefes së financës Valbona Duni dhe arkëtares Paola Dana.
Ato dyshohen për veprën penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën, kryer në bashkëpunim”.
Sipas hetimit, skema u zbulua kur Dega e Shijakut refuzoi të kryente një transfertë financiare, duke pretenduar se Posta e Durrësit kishte ende detyrime ndaj saj.
Pas verifikimit në sistem, shefja e financës Valbona Duni konstatoi se një pjesë e mandate-pagesave të prera për Shijakun dhe Krujën nuk figuronin në degët përkatëse.Ajo deklaroi se menjëherë kishte njoftuar drejtoreshën Elisabeta Mataj, e cila fillimisht nuk kishte reaguar dhe më pas, sipas dëshmisë, i ishte përgjigjur: “Nuk di gjë, shikoje vetë”.
Si u zbulua diferenca prej 69 milionë lekësh
Pas kallëzimit të bërë nga “Posta Shqiptare”, një grup pune kreu verifikime në Filialin Durrës.
Kontrolli evidentoi se gjatë muajve prill-maj 2026, nga arka qendër e filialit ishin prerë një sërë mandat-pagesash në lekë për llogari të degëve Shijak dhe Krujë.
Sipas sistemit kontabël, këto dalje ishin regjistruar si kalime të brendshme, duke ulur gjendjen fizike të arkës së Postës së Durrësit. Por gjatë kontrollit në sistemet e degëve Shijak dhe Krujë rezultoi se këto shuma nuk ishin regjistruar si hyrje.
Në total, shuma e pajustifikuar arrin në 69 milionë lekë.
Pamjet filmike: paratë merreshin nga arka dhe çoheshin në zyra
Prokuroria i referohet edhe pamjeve të kamerave të sigurisë, ku sipas saj shfaqen lëvizje të vlerave monetare në kundërshtim me rregulloret e Postës Shqiptare.
Në disa raste, sipas dosjes: Më 2 prill 2026, Valbona Duni merr një thes me vlera monetare nga arka dhe më pas e çon në zyrën e drejtoreshës Elisabeta Mataj.
Në të njëjtën ditë është prerë mandat-pagesë me vlerë 5 milionë lekë për Degën Shijak.
Më 14 dhe 15 prill, janë evidentuar dy mandate-pagesa për Degën Krujë me vlerë totale 20 milionë lekë, ndërsa pamjet tregojnë lëvizjen e thasëve me para nga arka drejt zyrës së financës.
Më 20, 24 dhe 30 prill, janë prerë disa mandate për Shijakun me vlerë totale 21 milionë lekë.
Në muajin maj janë evidentuar të tjera mandate-pagesa, përfshirë një shumë prej 5 milionë lekësh më 7 maj, 5 milionë lekë më 8 maj, 5 milionë lekë më 21 maj dhe 3 milionë lekë për Krujën më 29 maj.
Sipas Prokurorisë, dokumentacioni shoqërues dyshohet se është falsifikuar, pasi firmat e arkëtareve të degëve Shijak dhe Krujë nuk rezultojnë të jenë të tyre.Dëshmia e shefes së financës: “Drejtoresha merrte lekët në çantën personale”
Në dëshminë e saj, Valbona Duni ka deklaruar se pagesat ndaj Shijakut dhe Krujës ishin bërë si pjesë e likuidimeve të brendshme dhe se veprimet ishin kryer me urdhër verbal të drejtoreshës Elisabeta Mataj.
Ajo ka pohuar se i kërkonte arkëtares Paola Dana të përgatiste fondet dhe më pas i merrte në zyrën e saj.
Sipas dëshmisë së saj, në zyrë vinte drejtoresha Mataj, kontrollonte shumën dhe më pas i vendoste paratë në çantën personale.
“Ajo asnjëherë nuk e ka marrë thesin me të holla në dorë, por të futur në çantë. Në një rast e ka marrë të mbështjellë me një xhup bezhë që e mbante në dorë”, ka deklaruar Duni.
Ajo ka pranuar firmat e saj dhe të drejtoreshës e arkëtares së Postës Durrës, por ka deklaruar se firmat e arkëtareve të Shijakut dhe Krujës në mandate nuk ishin autentike.