
Pesë persona janë vënë në pranga në Kavajë, pasi dyshohen se kanë penguar dhe mbajtur të mbyllur për një kohë të konsiderueshme punonjës të Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve brenda ambienteve të një resorti në Golem.
Sipas Policisë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë ndërhynë pas kallëzimit të bërë nga punonjësit e Task Forcës dhe arrestuan në flagrancë pesë persona, të dyshuar për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.Të arrestuarit janë:Saimir Ndreca, 34 vjeç, administrator i resortit;
Zaho Jaçaj, 56 vjeç, shef finance në resort;
Artan Kasa, 56 vjeç, shef i sigurisë;
Hamid Sula, 64 vjeç, punonjës sigurie;
Bujar Agolli, 57 vjeç, punonjës sigurie.
Nga hetimet paraprake dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 18 korrik 2026 kanë penguar dhe kanë mbajtur të mbyllur punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët ndodheshin në resort për shkak të detyrës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.