
Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria po punon për një reformë të re të pensioneve, me qëllim krijimin e më shumë hapësirave për të gjitha kategoritë e pensionistëve.
Gjatë një bashkëbisedimi me pensionistët e njësisë nr. 2 në Tiranë, Rama foli për rritjen ekonomike, politikat sociale dhe ndryshimet që pritet të prekin skemën e pensioneve. Sipas tij, synimi është që qytetarët të kenë mundësi të kursejnë më shumë për të përfituar pensione më të larta, me mbështetjen e shtetit.
Ai shtoi se do të rishikohet edhe skema për pensionistët që janë të vetëpunësuar ose që vazhdojnë të punojnë, duke theksuar se edhe aty ka hapësira për përmirësime në favor të tyre.
“Po ashtu do të rishikojmë edhe skemën aktuale për pensionistët e vetëpunësuar dhe për ata që vazhdojnë të punojnë, pasi ka edhe aty hapësirë për disa rregullime që shkojnë në favor të pensionistëve,” u shpreh Rama.
Kryeministri foli edhe për mbështetjen ndaj invalidëve, duke pranuar se sistemi aktual ka diferencime që duhen korrigjuar.

Duke u ndalur te pensionet në përgjithësi, Rama theksoi se bonuset vjetore dhe rritja graduale e pensioneve do të vazhdojnë dhe pritet të shumëfishohen deri në vitin 2030.
Sipas tij, më herët është bërë vetëm indeksimi i pensioneve për shkak të mungesës së kapaciteteve ekonomike, ndërsa tani ekonomia e vendit, sipas tij, ka krijuar mundësi për rritje reale.
Rama deklaroi gjithashtu se në rast të rritjes së çmimeve të ushqimeve, pensionistët do të kenë mbrojtje ekonomike nga qeveria.
Ai tha se po shqyrtohet edhe një skemë e re e mbështetjes përmes një karte shpenzimesh familjare, e cila do të përdoret për produkte bazë, duke synuar që ndihma të shkojë direkt tek familjet.
Sipas tij, kjo skemë do të ndihmojë që mbështetja financiare të përdoret vetëm për nevojat bazë, ndërsa TVSH-ja e konsumit të kthehet në buxhet dhe më pas në mbështetje për qytetarët.
Rama shtoi se rritja e pagave në vend po ndikon pozitivisht edhe në sistemin e sigurimeve shoqërore, duke sjellë më shumë të ardhura për pensionet në të ardhmen.