
*“Kam vrarë gruan” – Telefonata alarmante e një 68-vjeçari rezulton e rreme**
Një telefonatë që tronditi shërbimet e policisë së Fierit doli të ishte e rreme. Rreth orës 14:30, në Sallën Operative të DVP Fier mbërriti një njoftim i papritur nga shtetasi S. T., 68 vjeç, banues në fshatin Dukas, i cili pretendoi se kishte vrarë bashkëshorten e tij, Sh. T., 64 vjeçe.
Forcat e policisë u mobilizuan menjëherë dhe u nisën me shpejtësi drejt vendngjarjes, ndërkohë që mbanin kontakt të vazhdueshëm me telefonuesin. Pas kontrollit të kryer në banesë, situata rezultoi krejtësisht ndryshe nga ajo e deklaruar bashkëshortja u gjet e shëndoshë e mirë, pa asnjë shenjë dëmtimi.
Hetimet e para treguan se 68-vjeçari kishte bërë një kallëzim të rremë, me dyshimin se ishte në gjendje të dehur në momentin e telefonatës. Ai u shoqërua menjëherë në ambientet e komisariatit për procedurat e mëtejshme ligjore, ndërsa policia vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij rasti të pazakontë.