
Ilir Meta është paraqitur sot në ambientet e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku jashtë godinës është pritur nga një grup simpatizantësh. Në momentin e mbërritjes, ai i përshëndeti ata dhe deklaroi “Shqipëria e shqiptarëve”, duke bërë edhe simbolin e shqiponjës me duar.
Në nisje të seancës, trupa gjykuese pritet të vendosë nëse do të lejojë praninë e kamerave të televizioneve në sallë, në një proces që ka ngjallur interes të lartë publik dhe mediatik. Meta ka kërkuar që seancat të transmetohen drejtpërdrejt, duke theksuar nevojën për “transparencë të plotë” gjatë gjykimit.
Ndërkohë, në të njëjtën gjykatë po zhvillohet edhe procesi në themel ndaj tij, pasi Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024. Ai akuzohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në kuadër të hetimeve për çështjen CEZ-DIA dhe lobimin e LSI-së në Shtetet e Bashkuara.
Në këtë çështje është e përfshirë edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e cila po hetohet me masën “detyrim paraqitje”. Sipas SPAK, të dy dyshohen se kanë përdorur ndikim politik për përfitime financiare dhe për fshehje pasurie e shpenzimesh.