
Në Ditën e Europës, kryeministri Edi Rama deklaroi se Bashkimi Europian mbetet për shqiptarët një ëndërr dhe një “tokë e premtuar”, ndërsa theksoi se shteti i të drejtës nuk mund të negociohet.
Gjatë aktivitetit ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, Rama vlerësoi reformën në drejtësi dhe mbështetjen europiane për Shqipërinë.
Kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria ka arritur të ndërtojë një sistem drejtësie që sipas tij “nuk ka të dytë në rajon”, falë partneritetit me Bashkimin Europian dhe reformave të ndërmarra ndër vite.
“Për ne shqiptarët, Europa mbetet edhe sot ajo ëndërr dhe tokë e premtuar. Ne e dimë më mirë se kushdo çfarë do të thotë të jetosh i izoluar dhe larg Europës.
Të qenit pjesë e BE-së nuk është vetëm dëshirë, por një mundësi dhe garanci për shtetin e së drejtës”, tha Rama.
Ai theksoi se reforma në drejtësi nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e BE-së, duke shtuar se dijet dhe eksperienca europiane kanë qenë kyçe në ndërtimin e institucioneve të reja të drejtësisë në vend.
“Shteti i të drejtës nuk mund të negociohet, por vetëm të respektohet kur ekziston dhe të ndërtohet kur mungon”, deklaroi kryeministri, duke e cilësuar integrimin europian si një mision të pandryshueshëm për Shqipërinë.