
Kejvina Kthellës i “zhduken” 8 mijë eurot, modelja kallëzon shoqen e ngushtë për mashtrim
Modelja shqiptare Kejvina Kthella është përfshirë së fundmi në një çështje mashtrimi, pasi pretendon se shoqja e saj e ngushtë i ka marrë shumën prej 8 mijë eurosh dhe nuk ia ka kthyer më.
Sipas informacioneve, Prokuroria e Tiranës ka nisur procedim penal ndaj shtetases Anela Osmani për veprën penale të “Mashtrimit”, pas kallëzimit të bërë nga modelja në fillim të muajit maj 2026.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Kejvina Kthella kishte kursyer shumën prej 8 mijë eurosh nga të ardhurat e saj dhe, për shkak se do të largohej drejt Lezhës, ia kishte lënë për ruajtje shoqes së saj.
Por sipas dëshmisë së modeles, pas marrjes së shumës, Anela Osmani ka nisur të japë justifikime të ndryshme për moskthimin e parave. Fillimisht ajo ka pretenduar se lekët ndodheshin në kasafortë, por nuk arrinte ta hapte pasi kishte harruar kodin. Më pas, pas hapjes së kasafortës, rezultoi se paratë nuk ndodheshin aty.
Në vijim, sipas kallëzimit, Osmani ka deklaruar se shumën e kishte depozituar në një llogari bankare, por se ajo ishte bllokuar nga përmbarimi, duke e bërë të pamundur tërheqjen e parave.
Përballë këtyre pretendimeve, të cilat dyshohet se kanë qenë mashtruese, Kejvina Kthella iu drejtua Policisë së Tiranës me kallëzim penal ndaj shoqes së saj.
Ndërkohë, prokurori i çështjes, Bledar Valikaj, ka kërkuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” ndaj Anela Osmanit, duke argumentuar se ekzistojnë dyshime të arsyeshme për konsumimin e veprës penale të mashtrimit.
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka lënë në fuqi masën “detyrim paraqitje”, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.