
Mjeku infeksionist Prof. Dr. Arjan Harxhi ka ngritur shqetësimin për përhapjen e mundshme të virusit Hantavirus, duke theksuar se situata duhet ndjekur me kujdes, por pa shkaktuar panik në popullatë.
Sipas tij, varianti Andes i këtij virusi ka një periudhë inkubacioni deri në 6 javë, çka nënkupton se rastet e reja mund të vazhdojnë të shfaqen në ditët dhe javët në vijim në disa vende europiane si Italia, Franca, Anglia dhe Zvicra.
“Nuk është mbyllur cikli, prandaj pritet të ketë raste të tjera të infektuara”, është shprehur mjeku, duke shpjeguar se kjo periudhë e gjatë inkubacioni e bën më të vështirë kontrollin e menjëhershëm të infeksionit.
Ai ka folur edhe për rrezikun potencial për Shqipërinë, duke theksuar se vendi nuk mund të konsiderohet i përjashtuar plotësisht nga infeksioni, sidomos në kushtet e lëvizjes së lirë të njerëzve. Sipas tij, transmetimi i këtij virusi nga njeriu tek njeriu ndodh rrallë dhe zakonisht kërkon kontakt të zgjatur në ambiente të mbyllura.
Prof. Harxhi ka theksuar gjithashtu se, pavarësisht shqetësimeve, nuk ka vend për panik, duke paralajmëruar edhe për rritjen e dezinformimit që shoqëron shpërthime të tilla shëndetësore.