Vapa “pushton” vendin/ Kthjellime në të gjithë territorin, njihuni me kushtet atmosferike për këtë të shtunë

Moti për të shtunën: Temperatura deri në 38°C, reshje të izoluara vetëm në zonat malore
Vendi do të përjetojë një tjetër ditë me temperatura të larta dhe mot kryesisht të qëndrueshëm këtë të shtunë.
Pjesa më e madhe e territorit do të dominohet nga kthjellimet, ndërsa reshjet do të jenë të kufizuara vetëm në disa zona malore.Sipas parashikimit, kthjellimet do të alternohen me vranësira mesatare, më të pranishme gjatë orëve të mesditës dhe pasdites, kryesisht në zonat malore të lindjes dhe juglindjes.Reshje të dobëta, lokale dhe afatshkurtra priten kryesisht në lindje dhe jug të vendit, në formën e pikave të shiut.
Në zonat malore nuk përjashtohen shtrëngata të izoluara me kohëzgjatje të shkurtër.
Në pjesën tjetër të territorit nuk priten reshje, ndërsa pasditja do të sjellë ndërprerjen e tyre edhe në zonat ku do të shfaqen.
Temperaturat do të mbeten të larta, duke arritur deri në 38 gradë Celsius në qarqet e Shkodrës, Lezhës dhe Beratit, të cilat pritet të jenë zonat më të nxehta të vendit.Era do të fryjë nga verilindja në veriperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 7 metra në sekondë.
Në bregdet dhe në lugina ajo pritet të forcohet herë pas here, duke arritur deri në 14 metra në sekondë.
Deti do të jetë i qetë deri mesatarisht i trazuar, me valëzim 1 deri në 3 ballë, si në Adriatik ashtu edhe në Jon.