
Një 66-vjeçar është gjetur i pajetë brenda një automjeti që u përfshi nga flakët mëngjesin e kësaj të hëne në lagjen nr. 10 të Korçës.Sipas të dhënave, mësohet se viktima jetonte momentalisht vetëm pasi ka pasur probleme në familje me bashkëshorten e tij. Kjo e fundit ka shkuar në Greqi për të jetuar me dy fëmijët që ka çifti.
Viktima ka lënë një shënim para ndërmarrjes së aktit të rëndë duke i vënë flakën mjetit e duke u vetëflijuar.
Në shënimin e gjetur nga policia, mësohet se viktima ka shkruar “Po iki se nuk jam sjellë mirë me familjen”.Dyshohet se kjo ka qenë arsyeja që 66-vjeçari i dha fund jetës, pasi ndihej fajtor për marrëdhënien jo të mirë brenda familjes.
Policia vijon ende hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.Njoftimi i policisë: “Rreth orës 08:40, në lagjen nr. 10, Korçë, një automjet tip “Benz” është përfshirë nga flakët.
Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se brenda automjetit, në sediljen e parë të pasagjerit, ndodhej pa shenja jete shtetasi I. Ç., rreth 66 vjeç.Nga veprimet dhe informacionet paraprake dyshohet se shtetasi mund të jetë vetëdjegur brenda automjetit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes“, thuhet në njoftimin e policisë.