
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe Kryetari i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, gjenerali Dan Caine, dëshmuan para Senatit amerikan mbi strategjinë e administratës Trump në luftën me Iranin, ndërsa Pentagoni kërkon fonde shtesë për të përballuar kostot e konfliktit.
Sipas zyrtarëve amerikanë, Departamenti i Mbrojtjes kërkon rreth 80 miliardë dollarë për të financuar operacionet ushtarake dhe për të rimbushur rezervat e armëve, të cilat janë tkurrur ndjeshëm pas muajve të fundit të luftimeve.
Seanca u zhvillua në një moment tensionesh të larta, pasi armëpushimi mes Uashingtonit dhe Teheranit u shemb në fillim të muajit, duke sjellë rifillimin e sulmeve dhe humbje të reja për forcat amerikane në rajon.
Një nga incidentet më të rënda ishte sulmi iranian ndaj një baze ushtarake amerikane në Jordani, ku humbën jetën dy ushtarë amerikanë, ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur. Sulmi ishte i katërti brenda pesë ditësh ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme.
Sipas vlerësimeve të Pentagonit, sulmet tregojnë se Irani vazhdon të disponojë një arsenal të konsiderueshëm raketash dhe ka përmirësuar aftësitë për të depërtuar sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore. Përveç viktimave, dhjetëra ushtarakë janë plagosur dhe disa helikopterë janë dëmtuar.
Administrata amerikane po shqyrton gjithashtu zgjerimin e operacioneve ushtarake ndaj objekteve bërthamore nëntokësore, urave dhe infrastrukturës energjetike të Iranit, një skenar që pritet të nxisë debate në Kongres mbi ligjshmërinë dhe shtrirjen e ndërhyrjes ushtarake.
Një tjetër çështje kyçe mbetet rihapja e Ngushticës së Hormuzit, mbyllja e së cilës ka ndikuar në rritjen e çmimeve të karburanteve dhe ka shtuar shqetësimet për sigurinë e transportit detar.
Senati amerikan pritet të vendosë në ditët në vijim nëse do të miratojë fondet shtesë të kërkuara nga Pentagoni, mes shqetësimeve në rritje për koston, strategjinë dhe kohëzgjatjen e konfliktit me Iranin.