
Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e kësaj të marte në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë, ku ka humbur jetën një person, pasi dyshohet se ka rrëshqitur në ballkonin e shtëpisë së tij gjatë stuhisë që goditi Kosovën, duke pësuar lëndime të rënda.
Sipas raportimeve të Policisë së Kosovës, viktima është një 61-vjeçar, ku si pasojë e rënies ka pësuar lëndime të rënda në kokë dhe, pavarësisht se është dërgua me autoambulancë në spital, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
Ndërkohë, në të njëjtin fshat, dy persona të tjerë pësuan lëndime të lehta trupore pasi dyert hyrëse të oborrit të tyre u rrëzuan si pasojë e motit të keq.
“Më datën 21.07.2026, rreth orës 16:30, si pasojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike, në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë, një person mashkull kosovar i vitit të lindjes 1965, dyshohet se aksidentalisht ka rrëshqitur në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë së tij, ku ka pësuar lëndime në kokë.
I njëjti me autoambulancë është dërguar në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, ku sipas mjekut kujdestar është konstatuar se është pa shenja jete”, ka njoftuar Zyra për Media e Policisë së Kosovës në Gjilan.