
Reforma e re administrativo-territoriale ka sjellë debate të forta dhe ka ndezur një situatë tensioni në qytetin e Përrenjasit. Skenari i mazhorancës për shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Librazhdin është pritur me kundërshtime të forta nga qytetarët, të cilët kanë dalë në protesta në sheshin kryesor dhe kanë firmosur një peticion masiv. Megjithatë, përballë kësaj revolte, zhvillimet dhe prapaskenat tregojnë një histori tjetër presionesh dhe lëvizjesh prapa kuintave.
Burimet e gazetës “SOT” nga terreni nxjerrin në pah detaje të tjera se si po menaxhohet kjo situatë nga politika. Deputeti i PS Taulant Balla, pavarësisht se nuk mban më postin e drejtuesit politik të Qarkut Elbasan, duket se i ka në duar shumë njerëz dhe vazhdon të ushtrojë ndikim të madh në zonë. Mësohet se qytetarë dhe njerëz të strukturave të PS në Përrenjas që kanë folur kundër reformës janë marrë në telefon për t’u mbyllur gojën.
E gjithë kjo lëvizje thuhet se është pjesë e një pakti të fshehtë, ku Balla dyshohet se i ka siguruar kryeministrit Edi Rama se do ta mbyllë vetë këtë çështje, pasi situata doli jashtë kontrollit. Pikërisht për këtë qëllim është organizuar edhe vizita e tij e paralajmëruar në Përrenjas gjatë kësaj fundjave, e cila vjen për të ulur tensionet dhe për të bindur strukturat të pranojnë linjën zyrtare. Madje, ky pazar dhe presion ka lënë gjurmë të qarta te qëndrimet brenda strukturave.
Disa kanë preferuar të mbyllin gojën, ku në sy bie rasti i kryetarit të PS-së në Përrenjas, i cili dyshohet se është bërë pjesë e këtij pazari duke ruajtur një heshtje të plotë përballë shkrirjes së qytetit. Balla, nuk e ka mohuar zbatimin e skenarit, duke u munduar t’i minimizojë shqetësimet. Sipas tij, fakti që Librazhdi dhe Përrenjasi kanë qenë dikur një e vetme brenda rrethit të vjetër tregon se ky bashkim i bën bashkitë më të forta.
“T’ju them të drejtën, unë nuk shoh ndonjë problem sepse asgjë s’ka për të ndryshuar, në Prrenjas patjetër do jenë zyrat, do jenë të gjitha shërbimet, asgjë s’ndryshon,” u shpreh Balla, duke bërë thirrje për qetësi. Por në praktikë, banorët e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë kjo: Përrenjasi humbet statusin e bashkisë dhe drejtimin e tij politik, duke u kthyer thjesht në një rrjet zyrash administrative që do të varen plotësisht nga Bashkia e Librazhdit.
Reagimet
Përballë këtij projekti që kërkon të fshijë autonominë e qytetit, përveç heshtjes dhe mbylljes së gojës nga presionet nga lart, ka patur dhe emra brenda vetë radhëve të Partisë Socialiste që kanë shpërthyer hapur. Anëtari i Këshillit Bashkiak të Përrenjasit nga radhët e PS, Ardit Facja, një figurë me peshë në komunitet, ka lëshuar një deklaratë shumë të ashpër duke thënë se nuk do të bëhet kurrë palë në këtë histori.
“Nëse Bashkia Prrenjas bashkohet kundër vullnetit të komunitetit me Bashkinë Librazhd, unë, Ardit Facja, do të jap dorëheqjen e menjëhershme nga çdo post që mbaj në Partinë Socialiste dhe kurrë nuk kam për të negociuar kundër interesave të Prrenjasit dhe banorëve të tij të mrekullueshëm!
Sa të kem jetë, nuk do të pranoj më asnjë pozicion partiak, por do të luftoj pa u ndalur për të mbrojtur të drejtat, identitetin dhe të ardhmen e prrenjsakëve!” – shkruan ai në reagimin e tij publik.Zërave kundër i është bashkuar edhe koreografi Valter Hana, i cili kujton se Përrenjasi, së bashku me Rrajcën, Bërzeshtën, Qukësin dhe Stravajn, ka një histori të madhe, lidhet me gjurmët e Skënderbeut, rrugën antike Egnatia dhe Parkun Kombëtar të Shebenikut. Sipas tij, një trevë me kaq shumë vlera nuk mund të fshihet me një vendim zyre.
Qëndrimi i kryetarit të bashkisë
Në këtë situatë të tensionuar, kryetari i Bashkisë Prrenjas, Nuri Belba, është shprehur se ka ndjekur me vëmendje dhe respekt reagimet e banorëve. Ai ka theksuar se bashkia do të përfaqësohet me dinjitet në çdo proces konsultimi dhe se marrëdhënia me qeverinë është bazuar te investimet dhe zhvillimi. \
Belba ka sqaruar se procesi ndodhet ende në fazën e diskutimeve dhe nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar, duke kërkuar që çdo alternativë të analizohet me kujdes në mënyrë që qytetarët të mos humbasin shërbimet dhe vëmendjen e duhur.