“5 ligje për oligarkët”/ Ina Zhupa shpërthen në Kuvend: Qeveria po largon Shqipërinë nga BE

“Favorizojnë oligarkët”/ Zhupa akuza qeverisë në Kuvend: 5 ligjet klienteliste që bien ndesh me BE-në!
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka akuzuar qeverinë në Kuvend se ka miratuar një paketë prej pesë ligjesh klienteliste që, sipas saj, favorizojnë oligarkët dhe cenojnë pronën publike e private në vend.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Zhupa deklaroi se ligje si ai i Investimeve Strategjike, Zonave të Mbrojtura, “Paketa e Maleve”, portet turistike dhe Korporata e Investimeve Shqiptare bien ndesh me direktivat europiane dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian.
“Në BE nuk futesh sepse hap kapitujt, por duke mbyllur gropën e korrupsionit, të cilën ju e thelloni çdo ditë. Ky Parlament ka miratuar, si në asnjë vend të BE-së dhe kundër çdo direktive europiane, pesë ligje klienteliste me porosi, që përbëjnë paketën e gllabërimit të pronës publike dhe private”, deklaroi Zhupa.
Sipas saj, Ligji i Investimeve Strategjike ka shërbyer për dhënien e tokave publike në bregdet te oligarkët, ndërsa Ligji i Zonave të Mbrojtura ka hapur rrugën për ndërtime edhe në zona të mbrojtura. Deputetja përmendi edhe situatën në Pishë Poro, duke pretenduar se aty po ndërhyhet me fadroma në kundërshtim me mbrojtjen mjedisore.
Zhupa kritikoi gjithashtu “Paketën e Maleve”, duke e cilësuar si një ligj që rrezikon edhe pronën private të qytetarëve, ndërsa ligjin për portet turistike e akuzoi se krijon favore për interesa private pa konkurrencë.
Në fund, ajo sulmoi edhe ligjin për Korporatën e Investimeve Shqiptare, duke deklaruar se prona shtetërore në Tiranë po përdoret për projekte kullash dhe interesa klienteliste, duke përmendur si shembuj Pallati i Brigadave dhe Pallati i Kongreseve.
“Kjo paketë prej pesë ligjesh anti-pronë tregon qartësisht që jeni qeveria më anti-europiane që ka pasur vendi”, u shpreh Zhupa.