Blerta Dragushës iu besua karrigia e rektores së Universitetit të Shkodrës, pasardhësja e Gjurajt premton forcim të institucionit

Rektorja e re e Universitetit të Shkodrës e cila zuri karrigen e Tonin Gjurajt, Blerta Dragusha ka reaguar së fundmi për pozicionin e ri që iu besua, duke shprehur falenderimet e saj.
Në reagimin e saj Dragusha nënvizon se e pranoi pozicionin e ofruar me përkushtim të plotë, me synimin për të forcuar misionin e formimit të brezave të rinj, zhvillimin e kërkimit shkencor dhe promovimin e dijes.Përgjatë mesazhit të saj të parë si rektore e Universitetit të Shkodrës, Dragusha shprehu mirënjohje për kontributin e paraardhësit të saj Tonin Gjurajt, i cili thekson se dha kontributin e tij maksimalisht si rektor.
“E kam pranuar këtë detyrë me përkushtim të plotë dhe me bindjen se misioni i universitetit tonë – formimi i brezave të rinj, zhvillimi i kërkimit shkencor dhe promovimi i dijes – duhet të jetë gjithmonë në qendër të çdo veprimi dhe vendimmarrjeje.Falenderoj Ministren e Arsimit për besimin e dhënë dhe siguroj të gjithë komunitetin se do ta ushtroj këtë detyrë me integritet, përgjegjshmëri, transparencë dhe vizion, duke vendosur gjithmonë në plan të parë interesin e studentëve dhe zhvillimin e universitetit.
Një falënderim, vlerësim dhe mirënjohje e veçantë shkon për Prof. Dr. Tonin Gjuraj, për kontributin e tij në drejtimin dhe zhvillimin e Universitetit të Shkodrës si Rektor i këtij institucioni gjatë këtyre dy viteve. I uroj suksese në angazhimet e tij të ardhshme dhe besoj se përvoja e tij do të vijojë t’i shërbejë arsimit të lartë shqiptar” shkruan Dragusha në reagimin e saj.
Në përmbyllje të reagimit të saj Dragusha premton se do të shërbejë me profesionalizëm me qëllim ndërtimin e një universiteti më të fortë, cilësor dhe konkurrues.
Ashtu siç raportoi dhe newsbomb.al, para pak ditësh u mësua se Tonin Gjuraj zgjodhi të tërhiqej si rektor i Shkodrës.
Në një reagim të bërë në lidhje me vendimin për dorëheqje, Gjuraj la të kuptohet se brenda administratës së Universitetit të Shkodrës ka pasur përballje, akuza e fabrikime, ndaj të cilave ai ka zgjedhur të largohet.Reagimi i plotë i Blerta Dragushës:
Të nderuar kolegë,
Të dashur studentë,
Të nderuar punonjës të administratës,
Të nderuar qytetarë,
Marrja e detyrës së Rektores së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” përbën për mua një nder të veçantë, por mbi të gjitha një përgjegjësi të madhe ndaj këtij institucioni, komunitetit akademik, studentëve dhe qytetit tonë.E kam pranuar këtë detyrë me përkushtim të plotë dhe me bindjen se misioni i universitetit tonë – formimi i brezave të rinj, zhvillimi i kërkimit shkencor dhe promovimi i dijes – duhet të jetë gjithmonë në qendër të çdo veprimi dhe vendimmarrjeje.
Falenderoj Ministren e Arsimit për besimin e dhënë dhe siguroj të gjithë komunitetin se do ta ushtroj këtë detyrë me integritet, përgjegjshmëri, transparencë dhe vizion, duke vendosur gjithmonë në plan të parë interesin e studentëve dhe zhvillimin e universitetit.
Një falënderim, vlerësim dhe mirënjohje e veçantë shkon për Prof. Dr. Tonin Gjuraj, për kontributin e tij në drejtimin dhe zhvillimin e Universitetit të Shkodrës si Rektor i këtij institucioni gjatë këtyre dy viteve. I uroj suksese në angazhimet e tij të ardhshme dhe besoj se përvoja e tij do të vijojë t’i shërbejë arsimit të lartë shqiptar.
Jam e vendosur të bashkëpunoj ngushtë me stafin akademik dhe administrativ, duke forcuar një kulturë institucionale të bazuar në dialog, respekt reciprok, meritokraci, profesionalizëm dhe përgjegjësi të përbashkët.
Studentët do të mbeten gjithmonë në qendër të vëmendjes sonë, si arsyeja kryesore e ekzistencës dhe misionit të universitetit, ndërsa do të punojmë për të forcuar më tej lidhjet me komunitetin, partnerët institucionalë dhe botën akademike brenda dhe jashtë vendit.
Në ushtrimin e kësaj përgjegjësie do të udhëhiqem nga parimet e qeverisjes së mirë universitare: transparenca, llogaridhënia, autonomia akademike, promovimi i ekselencës dhe përfshirja aktive e komunitetit universitar në proceset e zhvillimit institucional.
Me besim të plotë në potencialin e jashtëzakonshëm të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe me respekt për traditën e tij 70-vjeçare, ju siguroj për përkushtimin tim dhe ekipit tim për të punuar së bashku në ndërtimin e një universiteti më të fortë, më cilësor dhe më konkurrues.
Një ftesë të veçantë ua drejtoj të gjithë maturantëve: bëhuni pjesë e komunitetit tonë universitar duke zgjedhur programet e studimit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” për vitin akademik 2026–2027.
Së bashku do të ndërtojmë të ardhmen përmes dijes, inovacionit dhe vlerave!
Me respekt,
Prof. Dr. Blerta Dragusha









