“Shpërthejnë” protestat edhe në Kakome, emigrantët rikthehen dhe shkulin rrethimin 22-vjeçar

Tensionet janë zhvendosur këtë të diel edhe në Kakome, ku dhjetëra banorë të Nivicës dhe Shën Vasilit, pronarë tokash, emigrantë dhe qytetarë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit u mblodhën në një protestë kundër asaj që ata e konsiderojnë bllokim të padrejtë të aksesit në pronat e tyre.
Gjatë protestës, qytetarët shembën rrethimin që prej 22 vitesh ndante zonën, duke deklaruar se për dekada me radhë u ishte mohuar e drejta për të hyrë në tokat e tyre, ndërsa ishte kufizuar edhe qasja e pushuesve vendas dhe të huaj në plazhin e Kakomes.
“Nuk do të pranojmë më pengesa që na ndalojnë të shkojmë në tokat tona”, u shprehën disa prej pjesëmarrësve, të cilët e konsideruan shembjen e rrethimit si një moment simbolik në përpjekjen e tyre shumëvjeçare.
Banorët paralajmëruan se aksionet dhe protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke theksuar se nuk do të tërhiqen derisa të zgjidhet përfundimisht çështja e pronave dhe aksesit në zonë.
Sipas tyre, Kakomeja duhet t’u rikthehet qytetarëve dhe pronarëve që prej vitesh kërkojnë të ushtrojnë të drejtat e tyre mbi këto toka.