SKANDAL në Divjakë/ AMP hap hetim për zinxhirin e Policisë pas zbulimit të parcelës me kanabis

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur një hetim ndaj zinxhirit komandues të Komisariatit të Policisë Divjakë, pas dyshimeve për shpërdorim detyre në lidhje me një rast të madh të kultivimit të kanabisit në zonë.
Sipas burimeve, hetimi lidhet me mënyrën se si është menaxhuar situata që çoi në zbulimin e 1,426 bimëve narkotike kanabis sativa në territorin e Divjakës, në një sipërfaqe toke shtetërore pranë “Rezervuarit të Divjakës”.
Dyshohet se drejtues të komisariatit nuk kanë ushtruar kontrollet e nevojshme për identifikimin dhe goditjen në kohë të parcelave të mbjella me lëndë narkotike, çka ka sjellë edhe referimin e çështjes në Prokurori.
.Gjatë operacionit policor, përveç bimëve të kultivuara, janë sekuestruar edhe 37 kilogramë kanabis në proces tharjeje, si dhe 7 kilogramë lëndë narkotike në formë boçesh.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme të strukturave policore në këtë rast.



