Tronditëse / Nëna 32-vjeçare dyshohet se vrau djalin 4‑vjeçar dhe konsumoi pjesë të trupit të tij

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Australinë, ku një grua 32-vjeçare akuzohet se ka vrarë djalin e saj katërvjeçar dhe dyshohet se ka konsumuar pjesë të trupit të tij.
Rasti po hetohet nga autoritetet australiane, ndërsa ka ngritur pikëpyetje të forta mbi ndërhyrjen e shërbimeve sociale, të cilat kishin qenë në kontakt me familjen edhe para tragjedisë.
Sipas mediave australiane, gruaja u paraqit të shtunën në një komisariat policie në Wyong, në rajonin Central Coast të shtetit New South Wales, ku dyshohet se u tha efektivëve se kishte konsumuar pjesë të trupit të fëmijës së saj.Pas deklaratës së saj, policia shkoi në apartamentin ku jetonin nënë e bir dhe gjeti trupin e pajetë të katërvjeçarit me plagë të rënda në duar.
Hetimet paraprake tregojnë se fëmija kishte ndërruar jetë disa ditë përpara se autoritetet të njoftoheshin.Familja ishte zhvendosur në zonë rreth pesë muaj më parë, me synimin për t’i shpëtuar një situate të dhunës në familje.
Megjithatë, shërbimet sociale të New South Wales kishin monitoruar rastin prej të paktën një viti për shkak të shqetësimeve lidhur me gjendjen mendore të nënës dhe dyshimeve për përdorim të substancave narkotike.
Ndërhyrja e fundit e autoriteteve sociale ishte në muajin janar, kur u vlerësua nëse fëmija ndodhej në rrezik serioz neglizhence. Sipas raportimeve, nuk u gjetën prova të mjaftueshme që të justifikonin largimin e fëmijës nga kujdestaria e nënës, ndaj ai vijoi të jetonte me të deri në ditën e vdekjes.
Mediat australiane raportojnë se shqetësimet për familjen ishin ngritur që në fillim të vitit 2024, pasi një i afërm kishte njoftuar autoritetet për gjendjen e fëmijës. Në atë kohë, u raportuan dyshime për përdorim substancash dhe episode psikotike të nënës, e cila u referua në një program të ndërhyrjes së hershme.
Po ashtu, 32-vjeçarja kishte qenë më parë e përfshirë në konflikte familjare dhe ndaj saj ishin lëshuar urdhra kufizues.Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal. Rreth 40 banorë u mblodhën në Wyong për të nderuar kujtimin e katërvjeçarit, duke vendosur lule, lodra dhe tullumbace pranë vendit ku jetonte.
Një nënë, djali i së cilës kishte luajtur me viktimën në një festë ditëlindjeje, tha për mediat se fëmija dukej i lumtur dhe plot energji, ndërsa e përshkroi nënën si një person të qetë dhe të sjellshëm.
“Nuk kishte asgjë që të linte të kuptoje se diçka e tillë mund të ndodhte. Kjo tregon se nuk e di kurrë çfarë ndodh pas dyerve të mbyllura”, u shpreh ajo.
Sipas dokumenteve të gjykatës, autoritetet dyshojnë se krimi është kryer më 4 korrik, mes orës 16:00 dhe 17:00. Gruaja është arrestuar dhe akuzohet për vrasje. Kërkesa e saj për lirim me kusht është refuzuar, ndërsa çështja pritet të shqyrtohet sërish në Gjykatën e Magjistraturës në Wyong më 1 shtator. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tronditëse.