Dosja “Aruba” alarmon Damian Gjiknuri, deputeti socialist reagon me urgjencë dhe kërcënon avokatin që i plasi skandalin

Një përplasje e fortë ka shpërthyer pas publikimit të pretendimeve të avokatit Arben Llangozi për të ashtuquajturën “Dosja Aruba”, duke vënë në qendër të debatit emrin e deputetit socialist, Damian Gjiknuri. Deklaratat e forta të Llangozit, të cilat gazeta “SOT” i publikoi dje, kanë sjellë një reagim të menjëhershëm nga Gjiknuri, i cili përmes një shënimi në rrjetet sociale, ka mohuar kategorikisht çdo lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij. Deputeti socialist ka deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë në Aruba dhe se nuk ka pasur asnjë kontakt me personat për të cilët është folur në publik.
Përballë akuzave që i cilëson shpifje, Gjiknuri ka kaluar në kundërsulm duke paralajmëruar përballje ligjore me avokatin që bëri deklaratat publike. Ai ka kërkuar që të publikohen prova konkrete, duke deklaruar se në mungesë të tyre, pretendimet duhet të tërhiqen menjëherë. Por çfarë e alarmoi deputetin socialist? Ishte pikërisht deklarata e Arben Llangozit, i cili hodhi akuza të rënda duke përmendur emrat e Damian Gjiknurit dhe ish-zyrtarit Engjëll Agaçi. Sipas avokatit, këta emra lidhen me një takim që ai pretendon se ka pasur në kuadër të një organizimi të lidhur me persona të dyshuar për krim të organizuar. Llangozi pretendoi se disponon informacione dhe prova që, sipas tij, duhet të ishin pjesë e hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.
Ai ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si janë trajtuar disa elementë të kësaj çështjeje dhe kërkoi transparencë nga institucionet e drejtësisë. Këto deklarata kanë shkaktuar reagim të fortë nga Gjiknuri, i cili e ka akuzuar avokatin për sulme të qëllimshme ndaj figurës së tij publike. Deputeti socialist ka theksuar se gjatë gjithë karrierës së tij ka përballuar verifikime të shumta dhe se, sipas tij, ato kanë konfirmuar pastërtinë e figurës së tij. Në deklaratën e tij, Gjiknuri ka bërë të ditur se ka autorizuar avokatin e tij për të përgatitur padinë për shpifje ndaj Arben Llangozit.
Përplasja mes tyre tashmë pritet të zhvendoset edhe në arenën ligjore, ndërsa publiku pret sqarime të mëtejshme. Ndërkohë theksojmë se debati për “Dosjen Aruba” vijon të mbetet në qendër të vëmendjes, ndërsa akuzat dhe kundërakuzat kanë hapur një përplasje të re politike. Dosja “Aruba” është një hetim i gjerë i SPAK-ut i bazuar në përgjimet e platformës “Sky ECC” dhe raportet e shërbimeve spanjolle, i cili godet një rrjet të trafikut të kokainës dhe pastrimit të parave të krimit të organizuar përmes investimeve në ndërtim dhe turizëm në Shqipëri. Megjithatë pritet të shihet nëse do të dalin prova të reja që mbështesin pretendimet e avokatit apo nëse çështja do të përfundojë vetëm si një përballje ligjore mes palëve. Më poshtë po pasqyrojmë, reagimin e z. Gjiknuri dhe deklaratën e avokat Llangozit.Reagimi i plotë i deputeti socialist, Damian Gjiknuri
“Kam qenë gjithmonë i bindur se nuk ia vlen të humbet kohë duke iu përgjigjur çdo shpifësi ordiner që hedh baltë mbi emrin tim. Edhe ndaj deklaratave publike të shtetasit Arben Llangozi, i cili prezantohet si avokat, zgjodha të mos reagoj disa ditë më parë, duke besuar se ai do ta kuptonte shumë shpejt se kishte ngatërruar shënjestrën. Pa e fshehur ama habinë time se si mediat riprodhojnë deklarata pa asnjë fakt nga një person i njohur publikisht dhe dënuar me vendim gjykate si mashtrues profesionist. Mashtrues që ka tërhequr dhe rekursin e tij në gjykatë duke pranuar dënimin.
Megjithatë, në rolin e një shpifësi ordiner me pagesë, ky person vazhdon edhe sot të përsërisë publikisht të njëjtat pretendime. Gjatë gjithë karrierës sime, si në sektorin privat ashtu edhe në jetën publike, kam refuzuar kategorikisht t’u nënshtrohem këtij lloji gjobëvënësish publikë, që paguhen për të sharë dhe shajnë për t’u paguar. Në respekt ndaj opinionit publik, i cili helmohet nga deklarata të tilla shpifëse, deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk kam qenë asnjëherë në Aruba, nuk kam takuar asnjëherë e askund dhe nuk kam pasur asnjë lidhje me personat për të cilët aludon ky shpifës.
Për shkak të funksioneve që kam ushtruar në jetën publike dhe akuzave të vazhdueshme të ngritura ndaj meje, emri im i është nënshtruar verifikimeve më të imtësishme nga organet e posaçme të drejtësisë. Të gjitha këto procese kanë konfirmuar pastërtinë e figurës sime, ndërsa shpifësit janë detyruar të gëlltisin mbrapsht të pavërtetat e tyre. E sfidoj publikisht Arben Llangozin të publikojë provat që mbështesin pretendimet e tij. Në të kundërt, ai duhet të tërhiqet publikisht nga këto deklarata dhe të dorëzojë licencën e avokatit. Ndërkohë, kam autorizuar avokatin tim të përgatisë dokumentacionin e nevojshëm për ngritjen e padisë për shpifje ndaj Arben Llangozit”, shkroi dje deputeti i PS, Damian Gjiknuri në rrjetet sociale.Çfarë deklaroi avokat Arben Llangozi?
“Patjetër që mund të miratohet sepse kemi të bëjmë me një shtet demokratik. Nuk kemi të bëjmë me një shtet dhe me deputetë si Zegjine apo Sara Mila që mund t’i komandojë kryeministri. Nuk diskutohet që do marrin fakte dhe prova dhe kohën e mjaftueshme, por unë mendoj që faktet dhe provat janë të dukshme tashmë. Të mos harrojmë, marrim rastin e Zvërnecit. A ka provë më të madhe për mënyrën se si ka bashkëpunuar qeveria shqiptare me krimin e organizuar? Unë po i zbuloj dy emra të politikës dhe të qeverisë shqiptare që kanë marrë pjesë në Aruba. Bëhet fjalë për Damian Gjiknurin dhe për Engjëll Agaçin, të cilët kanë qenë pjesë e një marrëveshjeje të krimit për mënyrën si do investohet në Shqipëri.
Është informacion i saktë, SPAK‑u e ka por nuk e heton. Pra këtu kemi të bëjmë me dy anëtarë të qeverisë të shkuar me porosi të kryeministrit për mënyrën se si do financohej krimi i organizuar. Dhe nga informacioni që unë kam, bëhet fjalë që një ndër personat që kanë qenë në mbledhje ka qenë agjenti i DEA‑s amerikane që e ka përgjuar komplet këtë mbledhje, mënyrën se si do investohet në Shqipëri, dhe sot ne kemi një hetim edhe në Prokurorinë e Posaçme që janë zhdukur fare këto emra. Unë informacionin e kam të saktë sepse e kam marrë nga persona që kanë qenë atje, pra që ndodhen në kërkim tashmë. Agjenti i DEA‑s ka qenë i infiltruar në takim. Ka qenë në takim se është ftuar si pjesë e një grupi kriminal.
Dhe dihet komplet, është përgjuar komplet se çfarë është folur, çfarë është diskutuar dhe një ndër personat që ndodhet tashmë në kërkim më ka kontaktuar dhe më ka dhënë dy emrat të cilët janë fshehur nga Prokuroria e Posaçme. Në qoftë se ne do kontrollojmë vendimet e masave, janë hequr dhe ndoshta mos është kjo ajo lloj marrëveshjeje që është duke u bërë që prokurorëve të posaçëm t’u zgjatet mandati? Kjo do parë sepse këtu nuk mund të bëhet shkëmbim me fatet e një vendi dhe nuk mundet të jenë padronë disa prokurorë të një institucioni i cili mund të kthehet në abuzim më pas. Edhe unë kur të dalin informacionet e sakta jam përgjegjës dhe nuk e flas kot se po jap emra.Kështu që informacionin e kam shumë të saktë për këtë pjesë dhe a ka vend të rrijë që Shqipëria të ketë përfaqësues në një organizim që bën krimin e organizuar në një vend tjetër?
Dhe normalisht për këtë mendoj dhe shumë prova të tjera janë dokumentuar nga Shtetet e Bashkuara se kemi të bëjmë me shërbime. Nuk kemi të bëjmë si shërbim ynë informativ që s’di ku ka anëtarët e vet. Kështu që ne kemi një organizim të cilin shikojmë në ditët në vijim që do kemi rezultate pozitive në krijimin e atij propozimi që ka bërë kongresmeni. Kështu ju vlerësojmë që të bëhet diçka edhe për vendin tonë me këtë reagim që është bërë në Shtetet e Bashkuara.
Sepse nuk kemi më një qeveri e cila ka favorizuar krimin e organizuar, por kemi një qeveri e cila merr pjesë në mbledhje me krimin e organizuar që ka kaluar stadet dhe kjo është e rëndë. Edhe në qoftë se ata e kanë thënë “zyrtarë të lartë”, a ka detyrimin moral kryeministri të dalë e të thotë kush kanë qenë këta si zyrtarët e lartë?
A ka detyrimin moral SPAK‑u të sqarojë publikun? E ka, po pse nuk del? Si gjithmonë favorizohet. Të mos harrojmë që edhe para disa kohësh u publikua në media që një nënë që kishte bërë kallëzim për vrasjen e djalit të vet në Durrës kërkonte herë pas here që të vijonin hetimet dhe kishte arritur prokurori sipas dëshmitarëve prokurori Troplini kishte dalë edhe kishte spiunuar te grupet kriminale.
Pse nuk është pjesë e dosjes? Pra kështu i eliminojnë, si rasti konkret dhe rastet e tjera, dhe ky rast do eliminohet. Dhe pse i mbajnë të fshehura këto? Pse nuk ka hetim të gjithanshëm? Pse nuk është përpara përgjegjësisë Gjiknuri? Pse nuk është përpara përgjegjësisë Agaçi?
Kështu që vlerësohet që kjo është e rëndë dhe mendoj që nuk i shpëton gjë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jo atlete të veshin kryeministrit, por dhe çizme”, deklaroi avokati Arben Llangozi në “NTV Televizion” .