Gati dosja e re në SPAK për Ulsi Manjën, nga ndërhyrja sekrete te Balluku për HEC-in në Dibër dhe shpërblimi i…

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka lëshuar akuza të forta ndaj ish-ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, duke paralajmëruar se ndaj tij po bëhet gati një dosje e re për në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Ky reagim vjen pasi opozita dorëzoi në Prokurorinë e Posaçme një kallëzim kundër kryeministrit Edi Rama për shpërdorimin e 4.2 milionë eurove të buxhetit të shtetit për koncertin privat të këngëtarit Kanye West.
Në përgjigje të komenteve të Manjës lidhur me këtë çështje, Bardhi i ka bërë thirrje ish-ministrit që të përgatitet për t’u përballur vetë me prokurorët specialë për shkak të dy dyshimeve konkrete. Sipas përfaqësuesit të opozitës, Manja duhet të sqarojë fillimisht lidhjen e tij me biznesmenin Paulin Rajta dhe nëse ka ndërhyrë te Belinda Balluku për t’i siguruar atij licencën për një HEC në qarkun e Dibrës.
Më tej, Bardhi thekson se kjo ndërhyrje dyshohet se është bërë në kundërshtim me ligjin, gjë që përbën vepër penale. Sipas tij, pozita ligjore e ish-ministrit rëndohet akoma më shumë pasi ky biznesmen, i cili dyshohet se u favorizua për lejen e HEC-it, më vonë u emërua nga vetë Manja, në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë, si drejtor i Policisë së Burgjeve. Në mbyllje të reagimit, kryetari i grupit parlamentar të PD-së paralajmëroi ish-ministrin se roli i servilit nuk do ta mbrojë gjatë dhe se së shpejti SPAK mund t’i trokasë në derë.
Postimi i plotë i Gazment Bardhit:
“Ulsi Manja, mes rolit të budallait dhe hetimit të SPAK-ut. E kam të vështirë ta ndaj, nëse Ulsi Manja e bën me lehtësi rolin e budallait apo jo, por mund të them me siguri se sot qenka në kulmin e vet të performancës. Ulsi, nuk kemi çuar në SPAK Kanin, por Edin. Sepse Edi ka shpërdoruar detyrën bashkë me 4.2 milionë euro para publike, të dhëna si pare xhepi për një koncert privat. Tani që, besoj je më i qartë dhe më i qetë për Kanin, të paktën mos e gënje Edin për pozitën e tij penale dhe, njëkohësisht, bëhu gati edhe vetë për në SPAK!
Meqë ke marrë përsipër të bësh analizë me laps në dorë për kallëzimet e opozitës ndaj vjedhjeve tuaja, gjej edhe guximin t’u përgjigjesh dy pyetjeve, përpara se të të pyesin në SPAK: Çfarë të lidh me Paulin Rajtën? A ke ndërhyrë te Belinda Balluku për t’i mundësuar atij përfitimin e një HEC‑i në qarkun Dibër?
Kur nuk bën rolin e budallait për llogari të Edi Ramës, ti, Ulsi, e di shumë më mirë se ndërhyrja për dhënien e licencave në kundërshtim me ligjin është vepër penale. Kur ndërhyrja bëhet për një biznesmen që, më pas, si Ministër Drejtësie, firmos për ta emëruar drejtor të Policisë së Burgjeve, pozita penale rëndohet. Kthjellu, Ulsi! Roli i budallait apo servilit nuk të mban dot për shumë gjatë! Rri zgjuar këto kohë, se mund të të trokasë SPAK tek dera!”.
Reagon Ulsi Manja
Pas këtij paralajmërimi ka reaguar Ulsi Manja, i cili i është përgjigjur akuzave të Bardhit duke ironizuar se më në fund u qetësua pasi mori vesh që Partia Demokratike nuk e ka hallin te Kanye West, por tek ai vetë. Manja ka deklaruar se nuk merret me thashetheme pazari, pasi për këtë gjë nuk ka as moshën, as zakonin dhe as profesionin, ndërsa e ka ftuar deputetin demokrat të vazhdojë përpara me denoncimet e tij. Më tej, ish-ministri ka vijuar ironitë duke u shprehur se, meqë Bardhi humbi rastin të shijonte koncertin e Kanye West, po e përshëndet me këngën e revolucionit të parë të Lulzim Bashës.
Manja i ka kujtuar Bardhit se, ndërsa ai harxhon kohën me kallëzime, “Gonia” (Agron Shehu) po bën kërdinë në shesh duke i “krehur” anëtarët e partisë, ashtu siç i mori dikur Bashës databazën e anëtarësisë, duke e mbyllur mesazhin e tij me paralajmërimin se nuk duhet t’i thotë më pas që nuk e kishte vënë në dijeni. “Po shyqyr, o Gazment, se më kishte marrë malli për ty.
Tani më qetësove, se unë hallin e Kanyes kisha, por PD nuk e paska me Kanyen, e paska me mua! Gaz, unë s’merrem me thashetheme pazari, se nuk kam as moshë, as zakon dhe as profesion. Megjithatë, ti vazhdo. Rëndësi ka që s’e keni me Kanye West-in. Meqë e humbe rastin të shijoje Kanyen, po të përshëndes me këngën e revolucionit të parë të Lulit, megjithëse Gonen s’e ke më në krah. Ti harxhoje kohën me kallëzime, mirë bën, por Gonia po bën kërdinë në shesh, duke t’i krehur anëtarët e partisë, siç ia krehu Lulit databazën e anëtarësisë! Mos më thuaj pastaj se s’të kam thënë!”, shkruan Manja.