
Kreu i Partisë Demorkatike, Sali Berisha vijon të figurojë në listën zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit si person i dizenjuar sipas Seksionit 7031©, pavarësisht deklaratave të tij se Shtetet e Bashkuara i kanë hequr statusin “non grata”. Kontrolli në dokumentet publike të DASH tregon se emri i ish-kryeministrit shqiptar, së bashku me emrat e bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, vijon të jetë i publikuar në listën e personave të sanksionuar, ndërsa nga Uashingtoni është folur për një waiver, pra një përjashtim, dhe jo për një heqje të dizenjimit.
Prapaskenat
Dallimi është i rëndësishëm, pasi heqja e sanksionit do të thotë revokim i statusit dhe i bazës ligjore që e ka prodhuar atë. Ndërsa waiver‑i është një përjashtim i kufizuar, që mund të përdoret në raste të caktuara kur Departamenti i Shtetit gjykon se hyrja e një personi në SHBA i shërben një interesi diplomatik, institucional apo kombëtar. Berisha e paraqiti rastin e tij si të paprecedent, por raste të tilla njihen në praktikën diplomatike amerikane dhe janë përdorur dhjetëra herë për zyrtarë apo drejtues shtetesh të përfshirë në kufizime hyrjeje.
Një kategori e veçantë janë zyrtarët e sanksionuar që lejohen të udhëtojnë në Nju Jork për takime të Kombeve të Bashkuara, për shkak të detyrimeve që Shtetet e Bashkuara kanë nga Marrëveshja e Selisë së OKB-së, por edhe për arsye shëndetësore. Sipas të dhënave mbi zbatimin e këtij mekanizmi, waiver‑i është përdorur të paktën 60 herë për zyrtarë dhe drejtues shtetesh, kryesisht në raste të lidhura me akuza për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, torturë apo korrupsion madhor.
Një prej rasteve të përmendura lidhet me princin Nasser të Bahreinit. Organizatat e të drejtave të njeriut kishin kërkuar vendosjen e ndalimit të vizës ndaj tij për shkak të akuzave për torturë, ndërsa udhëtimi i tij në SHBA në vitin 2024 ngriti dyshime se Departamenti i Shtetit kishte përdorur një përjashtim. Një tjetër rast lidhet me Arabinë Saudite.
Pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi, SHBA vendosi kufizime ndaj një numri zyrtarësh sauditë, por në raste të caktuara përjashtime të tilla janë përdorur kur administrata amerikane ka gjykuar se kjo i shërbente interesave strategjike të Uashingtonit. Në këtë kuptim, rasti i Berishës nuk rezulton unik për nga mekanizmi. E vetmja gjë që e dallon që e dallon nga disa prej këtyre rasteve duket se është natyra e akuzës.
Ndryshe nga shumica e rasteve ku waiver‑i është përdorur për persona të lidhur me akuza për torturë apo shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, Berisha është dizenjuar nga SHBA për korrupsion madhor. Për këtë arsye, pretendimi se Shtetet e Bashkuara i kanë hequr sanksionet mbetet i ndryshëm nga ajo që nënkupton një waiver. Nëse sanksionet do të ishin hequr, kjo do të duhej të reflektohej në revokimin e dizenjimit. Deri tani, publikisht, emri i Berishës dhe i familjarëve të tij vijon të jetë në listën zyrtare të Departamentit të Shtetit.
Hetimet e SPAK
Në të njëjtën kohë, në Shqipëri mbetet ende pa një rezultat publik hetimi i SPAK që nisi që në 2025 për kontratën miliona dollarëshe të lobimit në Shtetet e Bashkuara të PD për tentativat për të hequr Berishën nga “lista e zezë”. Asnjë emër nuk është pyetur. As Berisha nuk është thirrur për të dhënë shpjegime.
Kujtojmë se PD lidhi një kontratë lobimi me “Continental” për 2 vite, me një parapagesë 750 mijë dollarë. Kontrata është dyshimtë dhe e veshur me mister, pasi ajo nuk është financuar nga fondet e partisë por nga një donacion privat jashtë vendit.
“Make Albania Great Again”, është fondacioni amerikan, i cili sipas Partisë Demokratike mori përsipër të paguajë 6 milionë dollarët e lobimit në Shtetet e Bashkuara. Ajo është krijuar vetëm 7 ditë para se Flamur Noka të vendoste firmën e tij, në kontratën marramendëse me kompaninë CONTINENTAL, e zotëruar dhe drejtuar nga njerëz pranë presidentit Donald Trump.
Themeluesi i saj është shqiptaro amerikani Nuredin Seci, garantori edhe i kontratës. Fondacioni, qartazi duket të jetë krijuar për të mbuluar marrëveshjen e lobimit. Kërkesa drejtuar pikërisht kompanisë “Continental Strategy LLC”, ka pasuar menjëherë aktin e krijimit të fondacionit. Sepse vetëm 3 ditë më pas, Seci, mori përgjigjen nga kompania e lobimit se ishte e gatshme të angazhohej në shërbime për Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Dhe 5 ditë më pas, më 4 prill 2025 Flamur Noka firmos si përfaqësuesi i Aleancës për Shqipërinë Madhështore. Nga ana tjetër, nuk dihet nëse drejtësia do të shkojë edhe te paratë e hedhura të Berishës për konsulentin amerikan Chris LaCivita.
Donald Trump e pagoi 19.2 milionë dollarë për fushatën e fundit. Gjithashtu nuk u sqarua çfarë roli kishte Paul Manafort në fushatën e Partisë Demokratike vitin e kaluar. Paul Manafort, pas triumfit të parë të Trump, u dënua me 4 vite burg, për mashtrim fiskal dhe bankar.
Gjykata Amerikane provoi se paratë që mblodhi nga një lobim në Ukrainë, i kishte fshehur. FBI pati dyshime se Manafort ndau të dhëna të sondazheve për Trump në 2016, me një biznesmen të lidhur me inteligjencën ruse, çfarë çoi në një hetim për ndërhyrjet e Rusisë në fushatën amerikane. Hetimi nuk gjeti lidhje të Trump me rusët, por Manafort vetë u fal nga presidenti amerikan, për t’i shpëtuar hetimit të mëtejshëm.
Mesa duket, Manafort gjeti terrenin e ri, Shqipërinë, ku lobimet e huaja, të paregjistruara dhe paratë në të zezë mbeten ende problem i financimit të partive politike.