
Gazetari Robert Papa ka komentuar zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe vendeve të Ballkanit, duke u ndalur te memorandumi për dialogun strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë, situata e Shqipërisë në raport me administratën amerikane, si dhe zhvillimet politike brenda Partisë Socialiste.
Sipas Papës, memorandumi i dialogut strategjik mes SHBA-së dhe Serbisë tregon se administrata amerikane nuk e ka larguar vëmendjen nga Ballkani, por se dialogu ka nisur me Serbinë dhe jo me Shqipërinë.
Papa pretendoi se ndaj qeverisë Rama po rritet presioni në SHBA, duke përmendur kërkesën për hetime në Kongres lidhur me lidhjet me trafiqet e drogës, si edhe një dosje që, sipas tij, Departamenti Amerikan i Shtetit ka për pastrimin e parave për kryeministrin shqiptar.
Në analizën e tij, ai u ndal edhe te zhvillimet brenda Partisë Socialiste, duke deklaruar se ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati është “i preferuari i amerikanëve” dhe i “Deep State”, ndërsa la të nënkuptohet se ai mund të jetë një nga figurat që mund të marrë drejtimin e PS, pasi Edi Rama ndodhet nën presion të madh politik dhe ligjor dhe se, sipas tij, “po negocion burgun”, ndërsa fundin e tij politik e konsideroi të afërt.
Pjesë nga analiza e Robert Papës në emisionin Fokus:
“Për sa i përket lajmeve lidhur me Ballkanin me Shqipërinë, ajo që më shqetëson është memorandumi i dialogut strategjik midis Amerikës dhe Serbisë. Haptas është thënë që është shtyrë dialogu strategjik me Kosovën. Natyrisht kjo mbas ndikimit të antishqiptarëve Grenellit dhe djalit Trump dhe asgjë për Shqipërinë.
Nga memorandumi duket që fillimisht është në aspektin ekonomik, nga 5G-ja tek komunikimi, ndërtimi i hidrocentraleve, stabiliteti në Ballkan dhe njohja e Kosovës nga Serbia dhe Kosova të njohë Serbinë. Pra kjo është thënë, por ajo që më shqetëson është vazhdimi i partneritetit ushtarak me Gardën Kombëtare të Ohios që ka 20 vjet dhe kërkesën serbe për blerje armatimesh nga Amerika për të forcuar bashkëpunimin ushtarak.
Dihet që Serbia nuk është aleat i Amerikës. Serbia është shtojcë e Rusisë, por përmes lobimit të tyre kanë arritur këtë sukses. Rubio i cili në fakt nuk është sekretari de fakto i departamentit, ka organizuar një konferencë kundër terrorizmit të spektrit të majtë ku ishin 65 të ftuar, por në fakt përfundoi 93, ishte dhe ministri i jashtëm i Shqipërisë i cili përfaqëson një qeveri që vjen nga një parti e ekstremit të majtë terrorist e faktuar si parti antiamerikane.
Aq më tepër që ministri i Ramës në vitet 90 është ndaluar nga policia me një grup diplomatësh mbas një skandali dhe në kohën që ishte ambasador në OKB ka deklaruar se ka humbur laptopin me sekrete të NATO. Këto janë fakte.
Ndërkohë që Rubio ka firmosur me ministrin e jashtëm të Serbisë, ministri i jashtëm serb është pritur nga zëvendëssekretari i shtetit Landau në një fotografi me protokoll duke pasur pas dhe flamurin e Serbisë. Ministri i Ramës në korridore ka bërë një fotografi me Landau dhe vazhdon kompleksi i inferioritetit të theksuar duke e quajtur takim.
Ju mund të mbani mend se ambasadori i Ramës pati deklaruar me bujë që kam ftuar Rubion në Shqipëri dhe ai ka pranuar. Kanë kaluar dy vjet dhe Rubio nuk erdhi.
Natyrisht që ndaj Shqipërisë Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka se si të kryejë veprime të tilla për dialogje strategjike kur ka një ftohje të madhe dhe trysnia dhe presioni i madh arriti kulmin kur një kongresmen kërkoi që me ligj të nisë hetimi për lidhjet me trafiqet e drogës nga Amerika Latine e qeverisë së Ramës.
Media amerikane Washington Examiner është marrë me trafiqet e narkoshtetit Rama. Natyrisht që Departamenti Amerikan i Shtetit ka së fundmi një dosje masive për pastrimin e parave miliarda dollarë të Ramës të njerëzve të lidhur rreth tij dhe të skandalit në Zvërnec dhe në Sazan që ka marrë një pjesë të madhe, nga media amerikane ka shkuar deri në Senat.
Ka thirrje për hetim dhe në kongres. Natyrisht që lajmi që Rubio firmosi memorandumin e dialogut strategjik me Serbinë na shqetëson por edhe duhet të na gëzojë sepse fundi i fundit tregon që administrata e Trump nuk e ka larguar vëmendjen nga Ballkani. Problemi është se nuk jemi ne qendrorët, por dialogu nis me Serbinë.
Natyrisht po të kesh një kryeministër bufon karagjoz antishqiptar dhe antiamerikan kjo nuk ka se si të ndodhë. Sepse nuk mundet Rubio të nisë një dialog strategjik me një kryeministër i cili ligjërisht do të jetë në hetim nga CIA dhe FBI sipas ligjit në kongres të propozuar nga Wilson për lidhjet me trafiqet. Rama është shumë mbrapa Ditmir Bushatit i cili me Kerry‑n ka firmosur për një gjë të tillë dhe Ditmir Bushati duket se është i preferuari i amerikanëve i “Deep State”.
Fakti që e kanë thirrur në Harvard dhe nga ana tjetër ajo valë e madhe protestash, Ramën e ka hequr. Rama kërkon të blejë drejtuesit e protestave, nuk i blen dot dhe ka nxjerrë ndrikullat për ta mbrojtur, sepse nuk ka askënd që ta mbrojë. I quajti agjentë të Iranit, agjentë Afganistanit, ndërkohë që atë e mbrojnë figura qesharake, alogjike, të urryera, nga Gonxhe, Balla, Zegjineja, një nivel ofendues për të majtën shqiptare. Atë parti që ka pasur profesorë, e kandidatë shkencash, njerëz që e kanë dashur Shqipërinë. Rama e urren Shqipërinë, por duket qartazi që shumica e shqiptarëve e urrejnë Ramën.
Ata e urrejnë brenda familjes, brenda familjes politike, tek SHIK‑u, tek policia. Ajo që e tmerron Ramën, është në qoftë se vështron ato protesta të bukura, policë që buzëqeshin me protestuesit, gardistë që buzëqeshin. Pra nuk e ka besnikërinë e gardistëve të policisë siç e kishte Vuçiç. Shikojeni në fytyrë, ai po pastron letrat dhe po negocion burgun.
Nuk shpëton dot. Mjafton vetëm me atë majmunin gjoja këngëtar, 4.2 milionë euro dënohesh mbi 15 vjet burg. Nuk ka nevojë për të tjera. Ka shkelur çdo ligj sepse duhet të shkosh në parlament. Duhet të nxjerrësh fletoren zyrtare pastaj të kalosh e të bësh kalesën e pagesave. A e bëri brenda dy orëve dhe me ligjin e hetimeve kur ai e di vetë se sa masive është dosja nuk ka se si të shpëtojë. Ai vetëm jeton në kohë të blerë. Është një njeri i vdekur që ecën politikisht po i themi dhe fundi i tij vendoset nga ai. Nuk mund të sfidosh me injorancë, arrogancë me idiotësi, një protestë qytetare, një protestë njerëzish civilë. Kësaj lloj proteste i tmerrohet Rama.”