
Bashkimi Evropian ka kritikuar vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila dekretoi lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë. Përmes një deklarate, një zëdhënës i bllokut evropian tha se vendimi i Haxhiut, por edhe i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), nuk “duket të jenë në përputhje me ligjin”, duke kujtuar se prokurorët veçse kishin njoftuar për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.
“Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë. BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që synojnë pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës”, tha zëdhënësi. Më herët gjatë 21 korrikut, Haxhiu njoftoi se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje nga sistemi i drejtësisë në vitin 2022.
“Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi më herët këtë javë kërkesën e prorkurorëve për tërheqjen e dorëheqjeve, të paraqitura në nëntor të vitit 2022, kur zyrtarët serbë u larguan kolektivisht nga institucionet e Kosovës në veri të vendit.
Ky vendim u mor me propozimin e nënkryetarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Dardan Vuniqi, ndërsa për të hyrë në fuqi kërkohej dekreti i ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.
Haxhiu tha se “askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve” dhe “as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara”.
Sipas saj, Republika e Kosovës “do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj”.
Qindra zyrtarë serbë dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi u bëri thirrje përfaqësuesve serbë të largoheshin nga policia, gjyqësori, prokuroria dhe institucionet e tjera në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.