
Gjyqi ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nuk u zhvillua as këtë të martë (dje). Shkak u bë mungesa e avokatit të tij, Plarent Ndreca, i cili njoftoi gjykatën se e kishte të pamundur të paraqitej, pasi ndodhej në një tjetër proces civil ne gjykatën e Tiranës, në të njëjtën orë, ku përfaqësonte Arbjan Maznikun. Për prokurorin Ols Dado, kjo rrethanë përbën mungesë për zhvillimin e seancës dhe kërkoi gjobë për Ndrecën dhe avokat kryesisht për Veliajn.
“Pengesë për zhvillimin mosmarrja pjesë e avokatit të Erion Veliajt. Gjykata ta shtyjë seancën. Duhet të caktohet avokat kryesisht. Pretendimi nuk është i ligjshëm e gjykata të caktojë gjobë për avokatin. Të pezullohen afatet e paraburgimit”, thotë prokurori Ols Dado. Pretendimi i akuzës u pranua dhe për Ndrecën u caktua 50 mijë lekë gjobë për mungesë të pajustifikuar. Për të shmangur vonesa të mëtejshme në proces, gjykata vendosi që, krahas avokatit të zgjedhur Plarent Ndreca, mbrojtjen e kryebashkiakut ta ushtrojë edhe avokatja kryesisht Valentina Teodoresku, e cila ishte caktuar edhe gjatë seancës paraprake. Avokati i saj, Gurali Braimllari, deklaroi se gjendja shëndetësore e klientes vijon të mos i lejojë pjesëmarrjen në seancë.
Sipas tij, pas marrjes së njoftimit për zhvillimin e seancës, Xoxa kreu një tjetër konsultë mjekësore, por gjendja e saj mbetet e pandryshuar. Prokurori argumentoi se dokumentacioni mjekësor i paraqitur nga mbrojtja e Ajola Xoxës nuk përmban elementë që justifikojnë mungesën e saj në seancë.
Braimllari: Ndonëse mendojmë se ai raport mjekësor që depozituam seancën e kaluar si për çdo nënë në Shqipëri, ka efekt. Dje ka bërë konsultë tek mjeku meqë mori njoftim për seancën e sotme që të dinte nëse ishte e mundur për të marrë pjesë, dhe vijon të jetë në të njëjtën situatë që bën të pamundur të jetë prezent dhe të bëjë mbrojtje efektive”, thanë avokatët.
Ols Dado: Për shkresën e dërguar nga mjeku, edhe herën e kaluar gjykata i dha përgjigje. Shkresa që paraqiti mbrojtja për Ajola Xoxën nuk specifikon gjendjen e të pandehurës. Nuk përbën shkak për mungesë në seancë. Këtu thuhet se i është nënshtruar operacionit cezarian.
Braimllari: Raporti mjekësor për ne është në fuqi ai i datës 29 qershor dhe i ka 63 ditë.
Elsa Ulliri: I kemi thënë në seancën e kaluar.
“Konsulta e paraqitur nga Ajola Xoxa e mjekut Orion Gliozheni nuk përbën shkak për mosparaqitjen e saj”, tha gjykata.
Pas tërheqjes për vendim, gjykata vlerësoi se konsulta mjekësore e paraqitur nga mjeku Orion Glozheni nuk përbën shkak ligjor për mosparaqitjen e Ajola Xoxës.
Po ashtu, gjykata vendosi të gjobisë me 50 mijë lekë avokatin Plarent Ndreca për mungesë të pajustifikuar, duke pranuar kështu kërkesat e prokurorit Dado. Seanca e radhës u caktua më 15 shtator, ndërsa për Erion Veliajn u pezulluan afatet e paraburgimit.
Ndërkohë, pak orë më pas Gjykata e Lartë rrëzoi një tjetër kërkesë të Veliajt, me të cilën ai kishte ankimuar vendimet e mëparshme të GJKKO-së për pezullimin e afateve të paraburgimit, të lëna në fuqi edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
Veliaj dhe mbrojtja e tij e kanë cilësuar antikushtetuese pezullimin e këtyre afateve edhe në rastet kur shkaku i shtyrjes së procesit nuk ka qenë mungesa e vetë të pandehurit.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.