
Presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar një marrëveshje të gjerë me Arabinë Saudite për zhvillimin e një programi bërthamor civil, një hap që mund t’i hapë rrugën edhe ndërtimit të kapaciteteve për pasurimin e uraniumit në mbretëri.
Sipas Wall Street Journal, duke cituar burime nga administrata amerikane, marrëveshja parashikon një bashkëpunim 30-vjeçar me vlerë dhjetëra miliarda dollarë, ku kompanitë amerikane do të kenë rolin kryesor në ndërtimin e infrastrukturës bërthamore saudite.
Marrëveshja parashikon që nëse shihet e nevojshme, Arabia Saudite mund të zhvillojë edhe një impiant për pasurimin e uraniumit, një çështje që ka qenë në qendër të diskutimeve për shkak të ndikimit që mund të ketë në ekuilibrat e sigurisë në Lindjen e Mesme.
Administrata amerikane vlerëson se struktura e marrëveshjes do t’i japë Uashingtonit kontroll të rëndësishëm mbi programin bërthamor saudit, me synimin që ai të përdoret vetëm për qëllime civile dhe të mos kalojë në përdorime ushtarake.
Megjithatë, marrëveshja pritet të përballet me diskutime në Kongresin amerikan. Sipas Wall Street Journal, bllokimi i saj do të ishte i vështirë, pasi një veto presidenciale do të mund të kapërcehej vetëm me një shumicë prej dy të tretash në Kongres.
Tensionet me Iranin dhe Ngushtica e Hormuzit
Vendimi për bashkëpunimin bërthamor me Arabinë Saudite vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta për shkak të përplasjeve me Iranin.
Shtetet e Bashkuara kanë vijuar operacionet ushtarake në rajon, ndërsa Komanda Qendrore amerikane ka bërë të ditur se forcat e saj kanë goditur qendra operative ushtarake iraniane, kapacitete detare, hangarë avionësh, depo dronësh dhe infrastrukturë logjistike.
Sipas Uashingtonit, operacionet synojnë të ulin aftësinë e Iranit për të kërcënuar trafikun tregtar në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të energjisë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka paralajmëruar se kontrolli i një rruge ndërkombëtare detare nga një shtet i vetëm do të krijonte një precedent të rrezikshëm për sigurinë globale.