
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kërkuar nga foltorja e Kuvendit që të dënohen aktet e dhunës ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit gjatë protestës së zhvilluar jashtë Parlamentit.
Në fjalën e tij, Balla shprehu solidaritet me punonjësit e policisë që mbetën të plagosur gjatë përplasjeve, duke uruar shërim të shpejtë për ta dhe duke theksuar se sulmet ndaj uniformave blu përbëjnë një goditje ndaj vetë institucioneve të shtetit
Deputeti socialist akuzoi opozitën se nuk është distancuar nga incidentet e dhunshme, ndërsa pretendoi se mes protestuesve kanë qenë të pranishëm persona që, sipas tij, kanë lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit dhe që kanë nxitur aktet e dhunës.Sipas Ballës, protesta kishte nisur me një kauzë të caktuar, por më pas është shfrytëzuar nga elementë që synonin përshkallëzimin e situatës dhe përplasjen me forcat e rendit.Ai kërkoi gjithashtu reagim nga organet e drejtësisë, duke u bërë thirrje prokurorëve dhe gjyqtarëve të ndjekin penalisht autorët e sulmeve ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit.
“Gjaku i punonjësve të Policisë së Shtetit është gjaku i vetë shtetit. Kush ngre dorë ndaj një efektivi policie, ngre dorë ndaj shtetit. Prandaj u bëj thirrje institucioneve të drejtësisë të veprojnë me vendosmëri ndaj autorëve të këtyre akteve,” deklaroi Balla.Në përfundim të fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar të PS-së kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të mbajë një qëndrim të qartë dhe të dënojë zyrtarisht dhunën e ushtruar ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.