
Pas publikimit në numrin e kaluar të “SOT” të dosjes me akuzat e ngritura ndaj Taulant Ballës, ish-Ministri i Brendshëm dhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, në dritë dalin të tjera zhvillime që lidhen me emrin e tij. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka nxjerrë përgjime nga dy dosje të ndryshme ku përmendet Balla. Përgjimet supozohet të jenë pjesë e dy dosjeve të ndryshme, të cilat janë shkëputur nga procedimet fillestare 1) Toyota Yaris 2) Suel Çela. E përbashkëta në këto dosje të krijuara rishtas, është se në të dy fashikujt del emri i Taulant Ballës. Në 6 Janar të këtij viti, Berisha zbuloi biseda të shkëputura nga komunikimet në SKY ECC të banditëve të Suel Çelës. Nga përgjimet që lexoi Berisha, del se atyre iu premtua arrestimi i bandës rivale, vëllezërit Çapja, gjithnjë në këmbim të patronazhimit të votave në Elbasan.
Lidhjet me bandat
Taos i kishin kërkuar arrestimin e kundërshtarëve të tyre.
Tao iu përgjigj kësaj: A garantoni që të gjithë ata njerëz do votojnë për ne nëse vendosim në listë ata që doni në burg?
(Pra, do na i siguroni ju votat nëse ne me listë i burgosim ata që kërkoni ju?)
Përgjigja ishte: Po, ne e garantojmë këtë.
Më pas Tao tha: Ata do shkojnë në burg këtë vit.”
Përgjimet, Balla në bisedat e dosjes “Toyota Yaris”
Dy javë më vonë, Berisha u kthye në SPAK në respekt të masës “detyrim paraqitje”, ndërsa me vete kishte marrë përgjime të tjera, që implikonin sërish Taulant Ballën, por kësaj radhe me dosjen e “Toyota Yaris”, në qendër të së cilës ishin më shumë se 3 milion euro që u kapën në dy automjete në portin e Durrësit. Bisedat janë të një oficereje të policisë Eriona Dautaj dhe avokatit Radovan Çela, kur përmendet sërish emri i Taulant Ballës. Të dy janë të arrestuar me urdhër të SPAK. SPAK në momentin kur filluan të dalin përgjimet ku përmendej Taulant Balla, nuk përgënjeshtruan asgjë, por paralajmëruan me përgjegjësinë penale të nxjerrjes së sekretit hetimor Mungesa e një përgënjeshtrimi për përgjimet e Ballës ishte si një konfirmim për vërtetësinë e përgjimeve.
Detajet nga dosja
Erjona Daupaj: Do ta çoj për sekuestro, nuk do i bëj nder Ballës. Po e çoj për sekuestro komplikohet puna se do ia marrin, Ballës e ka fjalën.
Astrit Vladi (që është princi i parave, 1.2 milionë euro i la në Portin e Durrësit gjatë kontrollit për të shpëtuar): Mirëmbrëma, OK shoku, kur e paskan sjellë?
Radovan Çela, avokati: Këto ditë, po më pyet, do jetë prapë Balla apo do jesh ti?
Vladi (e merrni me mend ju tani, Vladi dhe Balla ishin njëlloj, ishin para të përbashkëta): OK se flas unë, por të na tregojë mënyrën se si do e mbyllë.
Në këtë moment, shtetasi i dërgon mesazhin që ka marrë nga shtetasja Eriona Daupaj, që e informon për mënyrat se si do mbyllet duke nxjerrë procedurën jashtë afateve ligjore. E kuptoni se si i mbrojnë kriminelët këta horra? I mbrojnë me skadim afatesh, me të gjitha mënyrat.
Eriona Daupaj (Matahari i Skrapit të partisë): Çfarë ka? Pse i duket pa vlerë situata? Do e pësojë keq, i thuaj. Do i bjerë kokës me grushta.
Radovan Çela: Nga Tao, dhe thotë se i ka në rregull lekët. (Pra Tao e ka bërë, Taulant Balla.)
Daupaj: Kishte të drejtë bundra, nuk duhej toleruar që në fillim. Aty ku do të shkojë ai, do ia djegin letrat me benzinë, se bundra luan edhe me Taon. (E imagjinoni ju, bundra e ka Taon në xhep).
Daupaj: Jo, bundra do t’ia marrë, e ke gabim këtë radhë do ia marrë. Nuk dua të armiqësohem me policinë. I dola borxhit Taos. Ia ktheva, mos më sill më, i tha Tao, do ta pengoj unë. Ata e sollën prapë, i dolën borxhit. Këtë e ka bërë prej tij.Radovan Çela: Do flas prapë.
Akuzat e PD ndaj Taulant Ballës
-Taulant Balla është politikani i akuzuar me zë dhe figurë në sallën e gjyqit, se sipas regjistrimeve autentike ai është i implikuar direkt në masakrën e Elbasanit të shkurtit 2016, ku në përleshje mes bandave rivale u vranë tre dhe u plagosën 7 persona, anëtarë të tyre. ‑Por po në sallën e gjyqit ai është denoncuar si njeriu që ka porositur vrasjen e avokatit Ravik Gurra, sepse avokati kishte në dorë dhe do të publikonte pikërisht këto regjistrime zyrtare të cilat provonin komunikimin direkt të Taulantit me eksponentë kryesorë të vrasjeve, trafiqeve dhe akteve kriminale të bandave rivale të lidhura me masakrën e Elbasanit të shkurtit të vitit 2016. – Balla, është i faktuar se në zgjedhjet e prillit 2021, më datë 21 prill kishte angazhuar për blerjen e votave në Elbasan, trafikantin Mehmet Greca, të dënuar me 7 vite në Britani për trafik kokaine.
Ai bashkë me Ardi Veliun dhe narko prokurorin Alfred Shehu, manipuluan ngjarjen e 21 prillit të vitit 2021 në Elbasan, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën tre të tjerë. ‑Taulant Balla është politikani që sipas regjistrimeve autentike është i lidhur direkt me veprimtarinë ekonomike kriminale dhe fitimit në tendera publikë të qindra milionë lekë nga kompania e bashkëshortes së kriminelit në kërkim Gentian Sharra, bashkëpunëtor i ngushtë i Suel Çelës dhe Talo Çelës dhe pjesëmarrës kryesor në masakrën e shkurtit të vitit 2016 dhe grabitjen e shekullit të 11 mln eurove në aeroportin e Rinasit, si dhe vrasje e të tjera akte kriminale. ‑Taulant Balla është politikani i inkriminuar, i lidhur kokë e këmbë me bandën e trafikantëve dhe vrasëse dhe trafikantëve Rraja të Fushë-Krujës.
Ai është personi i akuzuar nga oficeri i policisë së Shtetit, Emiljano Nuhu për ndërhyrje personale direkte, në komisarit e Fushë Krujës me datën 21 korrik 2018, për lirimin me forcë të kriminelit Rexhep Rraja, sot në kërkim, djalit të deputetit socialist, Rrahman Rraja, i cili ishte arrestuar pasi kishte torturuar, djegë mishin me cigare, goditur me qytën e revoles, vajzën e pambrojtur Xhisiela Maloku. Ai së bashku me Edi Ramën, pas lirimit të kriminelit sulmuan dhe kërcënuan me egërsi oficerin Emiljano Nuhu, dhe e detyruan atë të largohet nga vendi dhe të kërkojë azil politik në vende të tjera. Taulant Balla është njeriu i akuzuar direkt në 22 qershor 2018 në parlament si pritës i 5 milionë eurove para të sjella në Shqipëri me veturat ‘Toyota Yaris’. Vërtetë ai këtë akuzë të bërë nga Lulzim Basha e ka mbyllur në Shqipëri, por absolutisht jo në mbretërinë e Belgjikës, ku ai hetohet bashkë me akuzuesin e tij për dosjen në fjalë. ‑Taulant Balla është nën hetim në Shqipëri dhe është së fundmi disa herë në SPAK për lidhjet e tij me Gentian Sharrën dhe ndërhyrjet e dokumentuara nga regjistrimet e shumta të cilat provojnë angazhimin e tij korruptim për dhënien e paligjshme të tenderave prej qindra milionëve lekëve kompanisë së bashkëshortes së Gentian Sharrës”, thuhet në akuzat e PD ndër vite ndaj Ballës.Asgjësimi i përgjimeve
Gjithashtu gazetari Elton Qyno në një artikull disa kohë më parë ka shkruar se Taulant Balla, deputeti i Partisë Socialiste, njëherësh ish-koordinator i kësaj partie në qarkun e Elbasanit, rezulton të jetë vënë në përgjim nga prokuroria e këtij qyteti. Përgjimi i deputetit Balla ka zgjatur vetëm dy ditë, dhe një gjë e tillë ka ndodhur pas masakrës së 3 shkurtit 2016 që ndodhi ndaj familjes “Çapja” në Elbasan. Përmes këtij vendimi gjykate mësohet se deputeti socialist Taulant Balla, është përgjuar në telefon për 46 orë e 50 minuta me vendim të gjyqtares Zamira Vyshka. Sipas dokumentit në 3 shkurt 2016, ndodh një ngjarje e rëndë, dhe vriten tre persona, Agron Çapja, Enver Sinakoli, Eno Bedalli dhe plagosen 7 të tjerë. Hetimet e policisë dhe prokurorisë, sollën përgjimin e dhjetëra personave me qëllimin e vetëm krijimin e dyshimeve se kush mund të ishin vrasësit.
Mes shumë numrave është vënë në përgjim dhe numri i deputetit Taulant Balla. Kërkesa për vënin në përgjim të Ballës, është bërë nga dy oficerët Edvin Ndreu dhe Eduard Hasani, të cilët i kërkonin prokurorëve të çështjes, vënien në përgjim të listës numerike të ofruar nga policia. Nga sa ka rezultuar të gjithë numrat janë vënë në përgjim, nga gjykata, përfshirë këtu dhe ai i deputetit Taulant Balla. Për shkak të ngjarjes shumë të rëndë, numrat janë vënë me shumë urgjencë në përgjim, dhe Taulant Balla, është përgjuar për vetëm dy ditë. Por pas këtyre dy ditëve, sërish të dy oficerët e policisë, i kanë kërkuar me urgjencë prokurorisë të nxirrte nga përgjimi numrin e deputetit të PS, Taulant Balla.
Pas kësaj procedure, prokuroria ka angazhuar sërish gjyqtaren Zamira Vyshka, e cila ka vendosur në datën 17 shkurt 2016, asgjësimin e disketës që përmbante 46 orë e 50 minuta përgjim. Me këtë vendim, gjykata i ka dhënë fund çdo bisede të përgjuar nga prokuroria për Taulant Ballën. I habitshëm është fakti se edhe pse numri i deputetit jepet i plotë, emri i tij në vendim shënohet vetëm me gjeneralitetin, Taulant. Për këtë emër foli në Gjykatën e Posaçme dhe i pandehuri Ardjan Çapja, i cili i kërkoi prokurorisë që të hetonte rolin e personit me emrin Taulant.