
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka konfirmuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen në muajin tetor ose në fillim të nëntorit të këtij viti, ndërsa zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen në një datë të mëvonshme. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Republikës Çeke, Andrej Babiš, Vuçiç tha se po mban premtimin e dhënë më herët për t’u dhënë qytetarëve mundësinë të shprehin vullnetin e tyre përmes votës. “Vitin e kaluar ju thashë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbaheshin deri në fund të vitit 2026 dhe po e mbaj fjalën time ndaj popullit serb për t’u dhënë qytetarëve mundësinë për të shprehur vullnetin e tyre të lirë. Pra, para fundit të vitit, me siguri do të kemi zgjedhje parlamentare dhe pak më vonë do të zhvillohen edhe zgjedhjet presidenciale”, deklaroi ai.
Njoftimi vjen në një moment të ndjeshëm politik për Serbinë. Në fund të muajit qershor, Vuçiç u tha mbështetësve të Partisë Progresive Serbe se ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen nga posti i presidentit për të kandiduar për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, me synimin për t’i siguruar partisë së tij një mandat të ri qeverisës. Serbia prej më shumë se një viti është përfshirë nga protesta të vazhdueshme kundër qeverisë. Demonstratat nisën pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad në vitin 2024, tragjedi ku humbën jetën 16 persona. Ngjarja shkaktoi zemërim të madh publik dhe nxiti akuza për korrupsion, mungesë transparence dhe dobësim të shtetit të së drejtës. Që atëherë, studentë, qytetarë dhe organizata të shoqërisë civile kanë organizuar protesta të njëpasnjëshme, duke kërkuar përgjegjësi politike, reforma institucionale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Alarmi i Brukselit
Nga ana tjetër, Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka shprehur shqetësimin për gjendjen e shoqërisë civile në Serbi, duke deklaruar se gjatë ditëve të fundit shumë përfaqësues të saj janë ekspozuar ndaj fushatave shpifëse dhe sulmeve personale. Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Kos theksoi se një shoqëri civile e fortë është thelbësore për funksionimin e demokracisë dhe për procesin e integrimit evropian. “Një shoqëri civile e fortë dhe qytetarë të angazhuar janë një aset për çdo demokraci dhe thelbësorë për një proces të suksesshëm zgjerimi. Ata meritojnë respekt dhe liri fjale pa frikësim ose përpjekje për të delegjitimuar punën e tyre”, shkroi ajo. Deklarata e komisioneres vjen në një kohë kur në Serbi janë raportuar disa raste që kanë ngritur shqetësime për lirinë e shprehjes dhe sigurinë e kritikëve të pushtetit.
Një prej tyre është sulmi ndaj shkrimtarit dhe aktivistit Vladimir Arsenijević, themelues i shoqatës “Krokodil”, i cili u rrah më 11 korrik në qendër të Beogradit, vetëm disa orë para mbajtjes së tubimit përkujtimor “Njerëzit Kujtojnë Njerëzit”, kushtuar viktimave të gjenocidit të Srebrenicës. Sipas Arsenijevićit, ai u sulmua nga një grup prej 20 deri në 30 të rinjsh, të cilët e goditën me grushte dhe shqelma, ndërsa e kërcënuan para se të largoheshin. Në vendin ku ishte planifikuar ceremonia përkujtimore ishin shkruar grafite që lavdëronin Ratko Mladiqin dhe Ushtrinë e Republikës Sërpska, si dhe mesazhe që mohonin narrativën e gjenocidit të Srebrenicës.
Incidenti u dënua nga Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Ambasada Britanike, Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë dhe disa parti opozitare, të cilat kërkuan hetim të plotë. Megjithatë, Prokuroria identifikoi dy persona të përfshirë në sulm, por vlerësoi se rasti nuk përbën vepër penale dhe njoftoi se ndaj tyre do të ngrihen vetëm procedura për kundërvajtje. Ndërkohë, autoritetet serbe kanë intensifikuar veprimet edhe ndaj analistit ushtarak Aleksandar Radić. Gjykata e Lartë në Beograd ka urdhëruar lëshimin e një urdhër-arresti ndaj tij, me kërkesë të Prokurorisë së Lartë Publike, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë e dyshon për përgatitje të një akti kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit, si dhe për zbulim të informacionit të klasifikuar.
Sipas Prokurorisë, Radić dyshohet se ka siguruar informacione sekrete përmes kontakteve me persona të punësuar në institucionet shtetërore.
Hetimi lidhet me rastin e ashtuquajturit “top zanor”, për të cilin Prokuroria pretendon se protesta masive antiqeveritare e 15 marsit ishte pjesë e një “simulimi” të organizuar nga studentët protestues. Studentët i kanë hedhur poshtë këto pretendime.
Radić ishte një nga ekspertët e parë që deklaroi publikisht se gjatë protestës mund të ishte përdorur një pajisje zanore kundër demonstruesve.Ai u largua nga Serbia në fund të qershorit, pasi, sipas deklaratës së tij, mediat publikuan pamje nga kamerat e sigurisë së banesës së tij, përfshirë edhe të vajzës së tij të mitur.
Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara kanë kërkuar nga autoritetet serbe zhvillimin e një hetimi të pavarur për ngjarjet e 15 marsit, ndërsa deklarata e fundit e Marta Kos shihet si një tjetër sinjal i shqetësimit të Brukselit për gjendjen e sundimit të ligjit, lirisë së shprehjes dhe hapësirës për veprim të shoqërisë civile në Serbi.