
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka dënuar veprimin e kreut të Partisë Mundësia Agron Shehaj, i cili rrëmbeu kopjen e dokumentit të marrëveshjes Shqipëri-SHBA për një hua 302 milionë dollarë.
Marrëveshja është një dokument i klasifikuar për të cilin të gjithë deputetët duhet të firmosin për konfidencialitetin.Sipas Ballës, kreu i Partisë Mundësia duhej arrestuar pas këtij veprimi pasi ka vjedhur një dokument sekret.
“Agron Shehaj duhet arrestuar në flagrancë për shkelje të ligjit. Hajduti i të dhënave personale të shqiptarëve tani ka nisur të vjedhë edhe dokumentet e Kuvendit. Kur mungojnë argumentet, mbeten vetëm vjedhja e dokumenteve të klasifikuara dhe dëshpërimi. Agresioni ndaj një punonjëseje të administratës është gjithashtu një vepër penale”, u shpreh Balla.