
Një shqetësim për ndërhyrjet në një prej bukurive natyrore të zonës së Vlorës është ngritur nga qytetarët përmes një videoje të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania.Bëhet fjalë për Ujëvarën e Rasalit në Velçë, Vlorë, një zonë natyrore e njohur për bukurinë e saj, ku sipas denoncimit është bërë ndërhyrje me beton pranë burimit të ujit.
Në pamjet e publikuara shihet një strukturë prej betoni e ndërtuar pranë ujëvarës, e cila sipas qytetarëve ka ndryshuar pamjen natyrore të zonës dhe ka dëmtuar karakterin e saj të paprekur.“Ujëvara e Rasalit, Velçë, Vlorë — tani me ‘përmirësime’! Kishim një ujëvarë që s’e ka bërë dora e njeriut, por natyra për mijëra vjet. Në vend që ta ruanim, i hodhëm beton sipër”, thuhet në mesazhin e qytetarit.Sipas tij, zona nuk kishte nevojë për ndërtime, por për mbrojtje dhe mirëmbajtje të kujdesshme, në mënyrë që të ruhej si një pasuri natyrore.
“Ku ka gur, vër beton. Ku ka ujë, vër beton. Ku ka bukuri, prishe me çimento”, shkruan qytetari, duke shprehur pakënaqësinë për mënyrën se si është ndërhyrë në këtë hapësirë.
Denoncuesi kërkon që Ujëvara e Rasalit të mbrohet si zonë natyrore dhe që ndërhyrjet ekzistuese të rishikohen për të ruajtur karakterin origjinal të saj.
JOQ Albania publikon shqetësimin e qytetarëve dhe mbetet në pritje të një reagimi nga institucionet përgjegjëse për ndërhyrjet e kryera në këtë zonë.