
Erion Braçe ka vendosur ta rikthejë në shtator në Kuvend një propozim që, sipas tij, prej dy vitesh nuk po gjen mbështetje brenda maxhorancës socialiste. Deputeti i PS-së kërkon sërish që grave me patologji gjinekologjike të diagnostikuara, si endometrioza dhe adenomioza, t’u njihet me ligj një ditë pushim e paguar, e dhënë vetëm me vlerësim të mjekut.
Shkas për reagimin e Braçes është bërë Mali i Zi, i cili u njeh grave dy ditë pushim gjatë ciklit menstrual.Deputeti socialist thotë se Shqipëria ka humbur dy vite pa e diskutuar seriozisht këtë nismë, edhe pse, sipas tij, brenda shumicës i është pranuar se bëhet fjalë për një propozim të drejtë.“Unë kam dy vjet që lutem për 1 ditë për të njohur dhe trajtuar një gjëndje shëndetësore reale dhe periodike e të individualizuar tek vajzat dhe gratë që vuajnë nga semundje te ndryshme gjinekologjike qe ne periudhen e ciklit shkaktojne dhimbje te medha akuta te vajzat e grate. Patjetër që duhet kohë, por kanë kaluar 2 vjet për tu menduar.Duhet dhe më shumë? Spanja e bëri! Mali i Zi e bëri! Po ne? Kemi humbur 2 vjet kur mund ta kishim diskutuar, kur të gjithë më kanë thënë qartë që ‘është e drejtë por nuk marrim dot vendim tani.’ Kur do të marrim vendim? Në shtator do ta keni të shkruar në Kuvend. Do ta keni mbi tavolinat tuaja dhe pastaj mund ta diskutoni edhe 2 vjet të tjera. Secili prej nesh, secili prej jush ka gra dhe vajza që vuajnë” thotë Braçe në videon e tij të postuar në rrjete sociale.Braçe sulmoi edhe kundërshtarët e propozimit të tij, duke thënë se debati është zhvendosur te kostoja për bizneset dhe jo te problemi shëndetësor i grave.Kjo e drejtë lidhet me shëndetin riprodhues në një vend që ka dukshëm rënie të numrit të lindjeve.
Dy vite që e propozoj dhe tërheq se më thonë ‘do ta votojmë kundër’ dhe ta votojnë kundër duhet kohë për tu rikthyer përsëri. Nuk e kam kuptuar kurrë pse duan ta votojnë kundër! Kur e thashë për herë të parë, gomerë televizivë apo onlinë, të paguar nga biznesmenët që ka ky vend, u shqetësuan shumë se kush do të punonte në rast se vendosnim kështu. Të jetë punë biznesmenësh kalohet si pengesë, por padija është pengesa reale” thotë Braçe.Në Europë, Spanja u bë në vitin 2023 vendi i parë që miratoi leje menstruale të paguar për gratë që vuajnë nga menstruacione të dhimbshme. Së fundmi, edhe Mali i Zi ka vendosur t’u njohë grave dy ditë pushim gjatë ciklit menstrual, rast që Braçe e ka marrë si shembull për të kërkuar rihapjen e debatit edhe në Shqipëri.