Në ish-Kënetë të Durrësit, rruga vijon të trajtohet si “pistë gare”! Shoferi i DEHUR me makinë pa targa nuk i ndalon Policisë dhe u përplas automjetin gjatë ndjekjes

Një ngjarje e rëndë është parandaluar këtë mbrëmje nga Policia në zonën e ish-kënetës në Durrës, zonë ku vetëm pak javë më parë u përplasën për vdekje 2 të mitur, dhe u plagos rëndë, por tashmë jashtë rrezikut për jetën, një tjetër.
Blutë pasi, pikasën një automjet pa targa i cili po qarkullonte në rrugët e kësaj lagjeje të qytetit, i dhanë sinjal automjetit për të ndaluar por drejtuesi nuk i është bindur dhe ka vijuar udhëtimin.
Në ndihmë të patrullës kanë shkuar edhe 2 inspektorë me motorë, pas disa minutash ndjekjeje makina pa targa u arrit të bllokohej nga oficerët e qarkullimit. Drejtuesi i automjetit në tentativë për të ecur mbrapa, është përplasur me makinën e Policisë.
Më pas ai është neutralizuar dhe është dërguar në ambientet e Komisariatit të Policisë së Durrësit, ku pas testit të alkoolit rezultoi në gjendje të dehur, fatmirësisht kjo ngjarje nuk pati pasoja në të lënduar.
