Sali Berisha kërkon plotësimin e kërkesave të protestuesve, Taulant Balla e SFIDON: Shko dil sot pasdite në protestë po ta mbajti, pelikan…

Me tensione dhe përplasje politike u zhvillua seanca plenare e kësaj të enjte në Kuvendin e Shqipërisë. Debati u ndez që në nisje të punimeve kur kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha mori fjalën duke mbështetur kërkesat e protestuesve dhe duke kërkuar që ato të adresohen njëra pas tjetrës.
Qëndrimi i tij solli reagimin e menjëhershëm të ministrit Taulant Balla, i cili kundërshtoi pretendimin e Berishës për të folur në emër të protestuesve. Balla e sfidoi publikisht kreun e PD-së që të marrë pjesë në protestën e pasdites për të parë nga afër qëndrimin e qytetarëve ndaj tij, duke qenë se një nga kërkesat e protestuesve është largimi i ish-kryeministrit.
“Zoti kryetar i Kuvendit, së pari kërkesa është e formuluar gabim e për pasojë nuk mund të merret në konsideratë.
Nga deputeti që mori fjalën në emër të kërkuesve nuk dëgjuam asnjë argument që ka të bëjë me kërkesën. Kërkesa nga grupi ynë parlamentar do të rrëzohet.
Kemi pasur një diskutim të gjatë në konferencën e kryetarëve, ku vetë deputetët kanë kërkuar që këto nisma ligjore të diskutohen me përparësi.
Nuk dëgjuam asnjë argument sa i përket kërkesës. I fundit që mund të flasë në emër të protestuesve është ky pelikani këtu. Dakord… Dhe nëse do të zbatosh, unë të sfidoj, unë të sfidoj Sali Berisha, sot pasdite shko në protestë.
Shkon dot në protestë? Provoje po ta mbajti, ndërkohë që personalisht nga ana e protestuesve meritoj një falënderim. Protestuesit thonë:
“Sali Berisha në burg”.Unë e kam bërë një kallëzim për ty dhe mbani mend ditën e parë të protestës i quajte sikur i kemi nxjerrë ne protestuesit, the kështu apo nuk the?
Ditën e dytë të protestës the që je kundër protestës, ndërkohë që sot del zotërote dhe thua: “Jam përfaqësuesi i protestës”. Ulu këtu dhe lëri këta se le nam”, tha Balla.