“Në 13 vite ka bërë vetëm mashtrime”/ Shqiptari udhëton nga Anglia për protestën: Rama të japë dorëheqjen

Valës së protestave masive në Tiranë po u bashkohen çdo ditë e më shumë emigrantë shqiptarë që po udhëtojnë nga jashtë vendit.
Një qytetar i ardhur nga Anglia ka folur pak para nisjes së tubimit, duke vlerësuar faktin që kjo lëvizje udhëhiqet nga të rinjtë dhe është e zhveshur nga ngjyrimet partiake.
Ai u shpreh se ka ardhur posaçërisht për të mbështetur këtë frymë të re që po kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama pas më shumë se një dekade në pushtet.“Kam ardhur të mbështes rininë shqiptare që pas 35 vitesh, për herë të parë, u ngrit në protestë pa partitë politike.
Jemi me ta dhe të qartë me kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe qeverisë.
Në 13 vite ka bërë vetëm premtime boshe, ka mashtruar dhe mashtron,” deklaroi ai.
Më tej, emigranti nga Anglia renditi pikat kryesore dhe rrugën që duhet të ndiqet sipas protestuesve për të nxjerrë vendin nga kriza, duke vënë theksin te ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe administratës.
“Kërkesat janë të qarta: dorëheqje e pakundërshtueshme, krijim i një qeverie tranzitore 1 vit dhe me krijimin e kësaj qeverie do t’i hapet rrugë ndrysimit të reformës zgjedhore që kanë bërë këta, që vetë votojnë, vetë numërojnë dhe caktojnë çdo gjë. Demokratizimi i administratës duhet të bëhet sa më parë,” përfundoi protestuesi.