Messi, Maradona, Maldini…, formacioni ideal i futbollistëve me më shumë ndeshje në historinë e Kupës së Botës

Kupa e Botës 2026 po vazhdon të sjellë rekorde të reja dhe një nga protagonistët kryesorë është Lionel Messi. Kapiteni i Argjentinës po e thellon gjithnjë e më shumë epërsinë në krye të listës së futbollistëve me më shumë paraqitje në historinë e turneut, duke forcuar statusin e tij si një nga legjendat më të mëdha të futbollit.
Duke u bazuar te lojtarët me më shumë ndeshje në secilin pozicion, është krijuar një formacion ideal që përfshin disa nga emrat më të mëdhenj të historisë së Kupës së Botës.

Në portë qëndron Manuel Neuer me 21 paraqitje. Portieri gjerman u bë ‘gardiani’ me më shumë ndeshje në historinë e turneut, ndërsa synon të mbyllë karrierën ndërkombëtare me një titull të dytë pas triumfit të vitit 2014.Mbrojtja përbëhet nga Paolo Maldini në të majtë (23 ndeshje), Javier Mascherano (20) dhe Wladyslaw Zmuda (21) në qendër, si dhe Cafu (20) në të djathtë. Braziliani mbetet lojtari i vetëm në këtë formacion që ka fituar dy herë Kupën e Botës, në vitet 1994 dhe 2002, ndërsa ka luajtur edhe tri finale radhazi.
Në mesfushë vendin e zënë Diego Maradona (21 ndeshje), Bastian Schweinsteiger (20) dhe Lothar Matthäus (25). Ky i fundit renditet i dyti në historinë e Kupës së Botës për numrin e paraqitjeve, pasi mori pjesë në pesë edicione dhe luajti tri finale, duke fituar trofeun në vitin 1990.
Sulmi përbëhet nga tre superyje të futbollit botëror. Miroslav Klose ka zhvilluar 24 ndeshje dhe mbetet një nga sulmuesit më të suksesshëm në historinë e kompeticionit, me medalje në katër edicione të ndryshme dhe titullin e fituar në vitin 2014.

Në krahun e djathtë është Lionel Messi, i cili tashmë ka arritur në 28 ndeshje në Kupën e Botës, më shumë se çdo futbollist tjetër. Argjentinasi ka shënuar 18 gola në turne dhe u kurorëzua kampion bote në vitin 2022, pasi më herët kishte humbur finalen e vitit 2014.
Në krahun e majtë vendoset Cristiano Ronaldo me 24 paraqitje. Portugezi ka marrë pjesë në gjashtë edicione të Kupës së Botës dhe ka realizuar 10 gola, por ndryshe nga rivali i tij i madh Messi, nuk ka arritur kurrë ta fitojë trofeun më të rëndësishëm të futbollit.
Ky formacion përfaqëson një kombinim të jashtëzakonshëm të talentit, jetëgjatësisë dhe suksesit në skenën më të madhe të futbollit botëror, duke mbledhur në njëmbëdhjetëshen ideale disa prej legjendave më të mëdha që ka njohur ndonjëherë Kupa e Botës.