
Ish-kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, e një nga shqiptarët e suksesshëm me karrierë ndërkombëtare në menaxhimin e futbollit, Eduard Dervishaj, ka kontributin e tij në sukseset e përfaqësueses spanjolle, përfaqësuese kjo që mbrëmjen e dy ditëve më parë u shpall kampione e botës, duke mundur në finale Argjentinën me rezultatin 1–0, pas 120 minutash lojë.
Dervishaj ka ndarë me ndjekësit një status të shkurtër në profilin e tij në rrjetin social “facebook”, duke nënvizuar se ndihej krenar me punën që ka bërë prej 30 vjetësh në futbollin spanjoll, si anëtar i kryesisë së Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit.
“Kupa e Botës po udhëton për në Spanjë. Po fluturojmë mbi Atlantik. U nisëm nga Nju Jorku rreth orës 02:00 dhe, në këtë çast, futbollistët tanë po pushojnë.
Ky grup djemsh të jashtëzakonshëm, profesionistë të nivelit më të lartë që na dhuruan një gëzim të papërshkrueshëm, më në fund po çlodhen pas një rrugëtimi 45-ditor mes Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Kanadasë. Tani po kthehemi drejt Madridit me Kupën e Botës në bord.
Trofeu më i rëndësishëm i futbollit botëror dhe një nga simbolet më të mëdha të sportit. Fitimi i saj nuk është vetëm kurora e një turneu të jashtëzakonshëm; është shpërblimi i një rruge të gjatë pune, vizioni, tradite, kulture futbollistike dhe ekselence që futbolli spanjoll e ka ndërtuar me mund, me pasion dhe me dinjitet brez pas brezi.
Ndihem krenar që i përkas dhe që prej 30 vitesh jap kontributin tim për Federatën Mbretërore Spanjolle të Futbollit. Mirënjohje e pafund për këta djem të mrekullueshëm që më dhanë mundësinë të përjetoj nga afër Kupën time të dytë të Botës”, shkruan Dervishaj.
Ky është një rast i shqiptarit të suksesshëm, që me punë, dije e përkushtim arrin në nivele të larta besimi dhe performance, gjë që federata spanjolle e çmon dhe kjo është arritje prej profesionisti.