
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka dënuar në Kuvend dhunën ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë protestave, duke kërkuar distancim nga aktet e dhunshme.
Balla tha se disa efektivë të policisë ndodhen në urgjencë dhe uroi që gjendja e tyre shëndetësore të mos përkeqësohet.
“Punonjësit e Policisë së Shtetit janë në urgjencë. Uroj që shëndeti dhe jeta e tyre të mos rrezikohen”, deklaroi Balla.Ai akuzoi Partinë Demokratike se nuk ka dënuar dhunën, por sipas tij ka shfaqur solidaritet me persona që i cilësoi si përgjegjës për akte të dhunshme.“Keqardhje e madhe që PD jo vetëm që nuk e dënon dhunën, por bie pre e një solidariteti të turpshëm me disa terroristë, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën që nisi si një protestë kundër dhunës”, u shpreh ai.
Gjatë fjalës së tij, Balla iu referua edhe deklaratave të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në një konferencë ndërkombëtare kundër terrorizmit, duke pretenduar se ka lëvizje që mund të rrezikojnë stabilitetin në Europë.“Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në konferencën ndërkombëtare kundër terrorizmit e theksoi qartë që ka disa lëvizje që mund të rrezikojnë stabilitetin në Europë. Persona me lidhje të qarta me Gardën Revolucionare të Iranit janë orkestruesit kryesorë të akteve të dhunës”, tha Balla.
Sipas Ballës, personat që godasin punonjësit e policisë nuk do të tolerohen.“Në asnjë mënyrë nuk do të tolerojmë të goditen punonjësit e Policisë së Shtetit. Gjaku i Policisë së Shtetit është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër Policisë së Shtetit, ka ngritur dorë ndaj shtetit”, deklaroi ai.
Balla bëri thirrje për drejtësi dhe kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të dënojë ashpër dhunën ndaj forcave të rendit.
“Thirrja ime është për drejtësinë. Edhe jetën e tyre e ruan Policia e Shtetit. Kuvendi i Shqipërisë duhet ta dënojë ashpër dhunën kundër punonjësve të policisë”, përfundoi Balla.