
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, duke e lënë në qeli dhe rrëzuar ankimin e tij në kuadër të dosjes SASPAC. Vendimi u dha këtë të mërkurë (dje) nga gjyqtarja Miliana Muça, e cila miratoi vendimin nr. 362, datë 25 maj 2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Ish-ministri Beqaj kishte kërkuar zëvendësimin e masës “arrest në burg” me një masë të lehtë sigurie kundrejt garancisë pasurore në shumën 2 milionë lekë ose një shumë tjetër që gjykata do ta vlerësonte të përshtatshme, duke përdorur si argument edhe vendimin e unifikuar u Gjykatës së Lartë për ndryshimin e praktikës për arrestin me burg.
Apeli i GJKKO vendosi të miratojë vendimin e Shkallës së Parë, duke e lënë në fuqi masën aktuale të sigurisë. Ish-ministri Ilir Beqaj u arrestua më 4 korrik 2024 me urdhër të SPAK për abuzime me fondet e Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) Sipas SPAK, Beqaj, në kohën kur drejtonte SASPAC-un, dyshohet se ka favorizuar kryerjen e prokurimeve fiktive për projektet e EUSAIR gjatë viteve 2022–2023. Prokuroria pretendon se tenderët realizoheshin vetëm në dokumente dhe fondet përfitoheshin në mënyrë të paligjshme përmes kompanive të lidhura me skemën. Ndaj ish-ministrit rëndojnë disa akuza, mes tyre “korrupsion pasiv”, “shkelje e barazisë në tendera”, “falsifikim dokumentesh”, “mashtrim” dhe “fshehje pasurie”. Po ashtu, disa ditë më parë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs, ku kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të lehtë, duke ofruar si garanci edhe një shumë pasurore.
Dosja e “Sterilizimit”
Ndërkohë disa ditë më parë Prokuroria e Posaçme ka kërkuar rrëzimin e 23 kërkesave të paraqitura nga Ilir Beqaj, me të cilat ish-ministri kundërshton akuzën ndaj tij dhe veprimet proceduriale të organit hetues. Sipas SPAK, kërkesat e Beqajt janë të pabazuara në ligj dhe nuk duhet të pranohen nga gjykata. Prokurori Edvin Kondili deklaroi se pjesa më e madhe e pretendimeve të të pandehurit kanë marrë përgjigje që gjatë fazës së hetimit, në seancën paraprake, përmes vendimit që lejoi kalimin e çështjes për gjykim, si dhe gjatë shqyrtimit në themel të dosjes. SPAK vlerëson se nuk ka arsye ligjore për pranimin e kërkesave të paraqitura nga ish-ministri. Ish-ministri, Ilir Beqaj është i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim.
Ndaj Beqajt rëndojnë akuzat “Shpërdorim detyre”, e kryer në bashkëpunim. Hetimi SPAK është kryer për koncesionin “shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril një përdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, në kohën kur Beqaj drejtonte ministrinë e Shëndetësisë. Për sterilizimin janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë, mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i Koncesionit Ilir Rrapaj të dy në pranga që prej gushtit të vitit të kaluar. Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të koncesionit të sterilizimit.