
Qëndrimi në pushtet për më shumë se tre mandate duket se u ka sjellë përfitime të mëdha financiare socialistëve. Një investigim i detajuar i mbështetur në të dhënat zyrtare të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe publikimet e Open Data Albania zbulon një rritje marramendëse të pasurisë së zyrtarit të lartë publik, Arbjan Mazniku.
Në vitin 2013, kur hyri për herë të parë në administratën shtetërore si Zëvendësministër i Arsimit, Mazniku deklaronte një pasuri totale prej rreth 197,000 Eurosh.
Aso kohe, pasuria e tij përbëhej kryesisht nga një apartament banimi i vlerësuar në 70,000 Euro në bashkëpronësi me bashkëshorten, një banesë dytësore dhe një sipërfaqe ullishteje.
Mirëpo, deklarata më e fundit e pasurisë për vitin 2025 tregon një tablo krejtësisht ndryshe financiare. Bilanci financiar i familjes së tij tashmë kap shifrën e frikshme prej rreth 510,000 Eurosh, duke shënuar një rritje prej më shumë se 260% brenda 12 viteve në pushtet.
Pyetja që lind natyrshëm është se si arrin një zyrtar i lartë publik të grumbullojë mbi 310,000 Euro shtesë pa pasur asnjë biznes privat? Sa i përket pronave të paluajtshme, ato mbeten të njëjtat në strukturë, por tashmë plotësisht të konsoliduara dhe të mbrojtura juridikisht. Surpriza më e madhe e këtij deklarimi fshihet pas llogarive bankare dhe kursimeve në para të cash-ta.
Nga llogari minimale rrjedhëse që deklaronte në fillimet e tij, sot kursimet e tij bankare kapin vlerën e mbi 140,000 Eurove. Këto llogari bankare janë të shpërndara në disa monedha kryesore si Lekë, Euro dhe Dollarë Amerikanë. Dokumentet tregojnë se gjatë këtyre viteve ka pasur lëvizje të shpeshta, mbyllje llogarish të vjetra dytësore dhe hapje balancesh të reja. Ndërkohë, edhe detyrimet e tij financiare dhe kreditë bankare kanë ardhur duke u reduktuar me hapa të shpejtë. Nëse në vitet e para ai deklaronte 54,000 Euro detyrime dhe kredi, sot pjesa më e madhe e tyre është shlyer rregullisht.
Si burim kryesor për këtë pasurim galopant shërbejnë pagat e tij shtetërore si Zv.Ministër, Nënkryetar i Bashkisë Tiranë dhe Ministër Shteti. Një rol kyç në fryrjen e llogarive të tij kanë luajtur edhe shpërblimet e majme nga pjesëmarrja në bordet e ndërmarrjeve publike, siç është kompania Eco Tirana sh.a. Gjithashtu, edhe automjeti i tij i blerë që në vitin 2011 me vlerë 21,000 Euro vazhdon të mbetet pjesë e deklarimit zyrtar. Ky konsolidim i fuqishëm financiar tregon se si postet drejtuese në shtet mund të kthehen në një sipërmarrje mjaft fitimprurëse.
Raporti i Open Data Albania nxjerr në pah transparencën e shifrave, por njëkohësisht ngre pyetje mbi ritmin e pasurimit të elitës politike. Shifrat e deklaruara tregojnë një standard jetese që do t’i kishin zili edhe sipërmarrësit më të suksesshëm të sektorit privat.
Tabela krahasuese, ku u rrit pasurira e Maznikut?

Pasuria e Nikollës, Kushit dhe Hoxhës
Por Arbjan Mazniku nuk është i vetmi. Gazeta “SOT” ka siguruar deklarimet pasurore edhe të disa prej deputetëve të Partisë Socialiste për vitin që lamë pas (2025) dhe një pjesë e madhe e tyre nuk e fshehin luksin. Në mesin e tyre bien në sy blerjet e automjeteve me vlera të konsiderueshme, por edhe prona të reja, ndërtesa, troje, ullishte, pyje e garazhe.
Në krye të listës për makinat e reja renditet Ardit Bido, i cili ka deklaruar blerjen e një automjeti me vlerë 25 mijë euro, ndërsa Saimir Hasalla ka shtuar në pronësi një automjet me vlerë 24 mijë euro.Edhe Evis Kushi ka rinovuar garazhin. Ajo ka deklaruar blerjen e një automjeti me vlerë 20 mijë euro, ndërsa më parë ka shitur një tjetër makinë për 6 mijë euro.
Por pasuria e Kushit nuk ndalet vetëm te automjetet. Deputetja socialiste rezulton bashkëpronare në disa prona të trashëguara, ku përfshihen një ullishte me sipërfaqe 5,360 metra katrorë, një tjetër ullishte prej 707 metrash katrorë, si edhe një pronë tjetër prej 20,513 metrash katrorë, ku gjatë vitit është deklaruar pakësim i sipërfaqes. Një nga emrat me më shumë pasuri të paluajtshme është edhe Lindita Nikolla. Sipas deklarimit, ajo është bashkëpronare me 50% e një trualli me ndërtesë me sipërfaqe totale 460 metra katrorë.
Gjithashtu, gjatë vitit rezulton se nuk zotëron më dy apartamente me sipërfaqe 77.7 dhe 104.36 metra katrorë, të cilat figuronin në bashkëpronësi. Ndërkohë, Ervin Hoxha ka deklaruar një truall prej 22 metrash katrorë, si dhe një truall me ndërtesë me sipërfaqe 544 metra katrorë, të përfituara me dhurim, ku zotëron 16.667% të secilës pronë. Nga ana tjetër, Erion Braçe ka deklaruar se nuk zotëron më apartamentin prej 89 metrash katrorë, pasi ai rezulton i shitur.
Ja skaneri i pasurisë i disa prej deputetëve
Lindita Nikolla
• Truall + ndërtesë – 460 m², bashkëpronare 50% (230 m²).
• Apartament – 77.70 m², 50% bashkëpronësi (nuk e zotëron më, ndryshim më 10.01.2025).
• Apartament – 104.36 m², 50% bashkëpronësi (nuk e zotëron më, ndryshim më 10.01.2025).
Saimir Hasalla
• Automjet – blerë në vitin 2025, vlerë 24,000 euro.
Evis Kushi
• Ullishte – 5,360 m², pjesë takuese 2.778% (148.88 m²), trashëgimi.
• Ullishte – 707 m², pjesë takuese 2.778% (19.63 m²), trashëgimi.
• Ullishte – 20,513 m², me pakësim prej 4,600 m².
• Automjet – blerë për 20,000 euro.
• Automjet – i shitur për 6,000 euro.
Ervin Hoxha
• Truall – 22 m², bashkëpronar 16.667% (3.66 m²), përfituar me dhurim.
• Truall + ndërtesë – 544 m², bashkëpronar 16.667% (90.66 m²), përfituar me dhurim.
Erion Braçe
• Apartament i shitur– 89 m²
Ardit Bido
• Automjet – blerë në vitin 2025, vlerë 25,000 euro.