
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vendosur të shtyjë me tre muaj të tjerë hetimet për Belinda Ballukun që po tronditin majat e qeverisë, ndërkohë që në qendër të vëmendjes nuk janë vetëm lëvizjet procedurale, por sidomos lëvizjet prapa skenës ku flitet se Maksim Ethemaj, njeriu më besnik dhe më i afërt i ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duket se i ka bërë gropën shefes së tij duke e shitur atë në SPAK dhe duke nxjerrë në shesh të gjitha të palarat dhe aferat korruptive që lidhen me tendera, licensa dhe pasuri të fshehura. Dyshohet se një nga goditjet më të forta vjen pikërisht nga kompleksi luksoz i vilave në Dhërmi ku emri i tij shfaqet në dosjet e prokurorisë së posaçme.
Maksim Ethemaj, një personazh që mund të mos jetë shumë i njohur për publikun e gjerë, por që mbetet një nga gurët më kyç të sistemit të Belinda Ballukut për mbarimin e punëve të pista dhe të ndjeshme, kryesisht në fushën e Aviacionit Civil ku vetë Balluku ka një eksperiencë të gjatë, mban aktualisht postin e Drejtorit Ekzekutiv të Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar dhe krenohet me një përvojë 22 vjeçare në menaxhimin e trafikut ajror, por kjo karrierë, falë lidhjeve të forta e të pandara me Ballukun dhe familjarët e saj, ka rezultuar jashtëzakonisht e suksesshme edhe në përfitimin e kontratave fitimprurëse me qeverinë, pasi sipas standardit më të mirënjohur të rilindjes, bashkëpunëtorët më të ngushtë të shefe Belës janë shpërblyer gjithmonë me licenca dhe favore të majme firmosur pikërisht nga dora e saj, duke krijuar një rrjet klientelist që tani po shembet nga themelet.
Hetimet
Në muajin Prill 2026, një skuadër me agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë trokitur në derën e vilës luksoze F‑6 që ndodhet në kompleksin “White Rocks” në zonën e Gjilekës në Dhërmi. Ata ishin vënë në dijeni se kush banonte në atë vilë, ndaj oficerët kishin marrë në Gjykatën e Posaçme një vendim kontrolli, ndaj duhet ta zbatonin për të kryer kontrollin brenda dhe jashtë vilës. Balluku ka jetuar së bashku me familjen e saj në këtë vilë luksoze që prej qershorit 2019 e në vitet në vijim. Pikërisht në këtë kompleks Belinda Balluku, kishte mbledhur dhe tarafin e saj, pasi në një tjetër telefon “Blackberry” të sekuestruar zyrtares Viola Haxhiademit, rezultoi i krijuar një grup në “What’s app” i titulluar “Dhërmi”. Në këtë grup, bënin pjesë Belinda Balluku me detyrë zv/kryeministre, Matilta Kërçaku me detyrë Drejtuese e Sekretariatit Kombëtar për Industrinë Nxjerëse, Viola Haxhiademi Sekretare e Përgjithshme në MEI, Maksim Ethemaj drejtor i Aviacionit Civil, Alketa Pano, sekretarja e Ballukut në zv/kryeministri.
Kontrolli në vilë nga ana e policisë gjyqësore BKH, është kryer në 27 Prill 2026. Gjatë kontrollit në ambjentet e brendshme të kësaj vile është konstatuar se ajo është përdorur rregullisht nga ish-zyrtarja e lartë, Belinda Balluku, pasi arredimi dhe pajisjet elektronike janë vendosur dhe përdorur nga Balluku dhe familjarët e saj. Konkretisht në vilë janë konstatuar si më poshtë vijon sende dhe detaje që të krijojnë bindjen e plotë se pikërisht në këtë vilë jeton dhe posedohet nga Belinda Balluku. Piktura të cilat janë vendosur në muret e vilës kanë të shënura incialet e vajzës së ish-zv/kryeministres, Belinda Balluku. Zbukurime për festa ditëlindjesh në emër të djalit të Belinda Balluku (Happy Birthday Colin). Ndërkohë në televizorin që gjendej në dhomën e ndenjes së vilës, është konstatuar i hapur program “Netflix” me E‑mail-in e llogarisë “belinda.balluku@gmail.com”, ku gjenden si përdorues emrat e ish-zv/kryeministres, Belinda Balluku dhe të fëmijëve të saj si “Belinda”, “Belenko”, “Belen” dhe “princess colin”.
Gjithashtu gjatë kontrollit të kësaj vile janë gjetur dhe sekuestruar dokumentet “Kontratë qiraje”, e cila nuk është lidhur përpara një noteri publik. Sipas këtij dokumenti në 25 Maj 2022, është lidhur ndërmjet ish-futbollistit të kombëtares, Igli Tare, në cilësinë e qiradhënësit dhe Joana Bushi, vartëses së Ballukut, në cilësinë e qiramarrësit, për vilën F‑6, në kompleksin “White Rocks”. Në këtë kontratë është përcaktuar se afati i qirasë fillon më datë 1 qershor 2022 dhe përfundon në 1 qershor 2024. Dokumenti nënvizon se kontrata rinovohet automatikisht për një periudhë 2 vjeçare nga data e skadencës. Në nenin 4 të kontratës është përcaktuar se vlera mujore e qirasë për posedimin e pasurisë do të jetë 450 Euro në muaj.
Një shifër qesharake kjo për qeranë e një vile në një nga zonat elitare të Shqipërisë. Sipas dokumentit pagesa do të bëhet me bazë vjetore, ku pagesa e vitit të parë të qirasë do të kryhet në datë 1 qershor 2023, e kështu çdo datë 1 qershor të vitit pasardhës, përgjatë të gjithë kohëzgjatjes së qirasë. Ndërkohë në 25 Maj 2022, ndërmjet ish-futbollistit të Kombëtares Shqiptare, Igli Tare dhe Joana Bushit, është bërë një amendim i kontratës, duke rritur vlerën e qerasë mujore nga 450 euro në 600 euro. Në 1 qershor 2023 Joana Bushi arkëton një pagesë prej 5400 euro. Ndërsa në 30 Maj 2024, sërisht Joana Bushi, arkëton një pagesë prej 5400 euro. Nga hetimi rezulton se kjo kontratë qiraje është fiktive, është bërë për të humbur gjurmët në lidhje me poseduesin real të kësaj pasurie, e cila rezulton të jetë, Belinda Balluku.
Për të fshehur posedimin e saj, Belinda Balluku, ka përdorur vartësen e saj, Joana Bushi, duke kryer një veprim fiktiv të lidhjes së kontratës së qirasë me personin tjetër të përdorur si porosistës të kësaj Vile, Igli Tare. Veprimet e kryera nga Igli Tare për kontratën e porosisë, si dhe pagesa pjesore e formalizuar për këtë kontratë, janë bërë për llogari të Belinda Ballukut. Sipas SPAK, kjo pasuri rezulton të jetë krijuar si përfitim i parregullt i dhënë nga Pandeli Carapuli, administrator i shoqërisë “Eurocol”, në drejtim të Belinda Balluku, për shkak të veprime të kryera nga Belinda Balluku, nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, “Albcontrol”, me detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të “Albcontrol”, në lidhje me paracaktimin, krijimin e avantazheve dhe privilegjeve për shoqërinë fituese të procedurës së prokurimit me objekt: “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, shoqërinë e shtetasit Pandeli Carapuli, “Eurocol” sh.p.k.