
Numri i emigrantëve që kanë ndërruar jetë gjatë tentativave për të shkelur brigjet e Ceutës nga deti, ka shkuar në 67. Një valë e madhe emigrantësh kryesisht nga Maroku, u dynd në enklavën spanjolle të Ceutës, që gjendet në bregun verior të Afrikës, në më pak se 48 orë. Flitet për rreth 50.000 emigrantë që arritën të kalonin kufijtë, ndërsa mbi 37 mijë e 500 prej tyre, u rikthyen në Marok.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka reaguar përsëri publikisht, duke iu drejtuar dhe shteteve evropiane që kritikuan qasjen e qeverisë së tij në menaxhimin e një prej krizave më të mëdha migratore.Ishte Italia që kërkoi mbylljen e përkohshme të zonës Shengen për Spanjën duke e konsideruar këtë valë, si një kërcënim për sigurinë kombëtare. Sanchez thotë se një qëndrim i tillë është produkt i paditurisë ose interesit politik dhe se bie ndesh me të drejtën evropiane dhe humanitare.“Një qëndrim i tillë – i diktuar nga paragjykimet, lajmet e rreme, padituria ose interesi politik – jo vetëm që është në kundërshtim me të drejtën evropiane, të drejtën humanitare dhe parimet e solidaritetit që na bashkojnë. Ai është gjithashtu në kundërshtim me interesat afatgjata të Evropës dhe me arsyen më elementare, sepse Ceuta nuk bën pjesë në zonën Schengen, sepse pothuajse nuk ka më migrantë të parregullt për t’u riatdhesuar dhe sepse Spanja është, sipas Frontex, një nga kufijtë e jashtëm më pak të depërtueshëm të Bashkimit Evropian, me një numër hyrjesh të parregullta sa gjysma e atyre të regjistruara, për shembull, në Itali gjatë viteve të fundit (2021–2026)”, tha Sanchez.Ndër të tjera, kryeministri spanjoll e ka konsideruar reagimin e qeverive të tjera evropiane që kanë mbajtur qëndrim kritikues, si të padrejtë dhe egoist duke risjellë në fokus dhe episode të tjera të valëve migratore me të cilat të tjera qeveri janë përballur më parë.“Siç e dini, në fillim të kësaj jave rreth 50.000 migrantë hynë në mënyrë të parregullt dhe të papritur në këtë territor spanjoll. Në më pak se 48 orë, qeveria ime arriti të rivendosë plotësisht kontrollin e kufirit, të ofrojë një ndihmë të gjerë humanitare, të riatdhesojë praktikisht të gjithë migrantët që kishin kaluar në mënyrë të parregullt kufirin dhe të parandalojë çdo lëvizje dytësore të paautorizuar drejt Evropës kontinentale.E gjithë kjo u arrit në koordinim të ngushtë me autoritetet marokene dhe me një mbështetje shumë të kufizuar nga shtetet e tjera evropiane, duke vazhduar njëkohësisht një politikë migratore efektive dhe të bazuar në solidaritet, të cilën Spanja e ka ndjekur me koherencë prej disa vitesh.
Një politikë që na ka mundësuar të reduktojmë në mënyrë drastike mbërritjet e parregullta përmes territorit tonë, duke e bërë Spanjën kufirin e dytë të jashtëm më të sigurt të Bashkimit Evropian, ndonëse është i vetmi shtet anëtar me një kufi tokësor me Afrikën.Kjo politikë e suksesshme na ka lejuar gjithashtu të ndihmojmë shtete të tjera anëtare kur janë përballur me kriza të ngjashme, si në rastin e migrantëve që mbërritën në Evropën Lindore përmes Bjellorusisë në vitin 2021 dhe në Lampedusa në vitin 2023.
Pavarësisht këtyre fakteve të pakundërshtueshme, reagimi i qeverive evropiane në orët e fundit ka qenë mjaft i pabarabartë. Shumica na kanë shprehur mbështetje dhe solidaritet, duke ofruar edhe ndihmë. Të tjerë, përkundrazi, kanë zgjedhur të sulmojnë Spanjën dhe të kërkojnë përjashtimin e saj të përkohshëm nga zona Schengen.Një qëndrim i tillë – i diktuar nga paragjykimet, lajmet e rreme, padituria ose interesi politik – jo vetëm që është në kundërshtim me të drejtën evropiane, të drejtën humanitare dhe parimet e solidaritetit që na bashkojnë. Ai është gjithashtu në kundërshtim me interesat afatgjata të Evropës dhe me arsyen më elementare, sepse Ceuta nuk bën pjesë në zonën Schengen, sepse pothuajse nuk ka më migrantë të parregullt për t’u riatdhesuar dhe sepse Spanja është, sipas Frontex, një nga kufijtë e jashtëm më pak të depërtueshëm të Bashkimit Evropian, me një numër hyrjesh të parregullta sa gjysma e atyre të regjistruara, për shembull, në Itali gjatë viteve të fundit (2021–2026).
Në kontekstin aktual ndërkombëtar, Bashkimi Evropian nuk mund t’i lejojë vetes një lloj reagimi kaq egoist, përçarës dhe në kundërshtim me të drejtën”, deklaron Sanchez.
Ndërkohë faqet e para të mediave spanjolle i kushtohen kësaj krize të madhe migratore. Një artikull i El Pais shkruan se shërbimet e inteligjencës dështuan pasi disponimi i një informacioni të tillë do të kishte parandaluar pasojat në shifra kaq të larta. “Nuk kishim informacione. Nëse i ke, nuk hyjnë 50.000 persona”, shkruhet në faqen e parë të artikullit.“Evropa ngrihet kundër Sanchez se po vë në rrezik kufijtë e saj”, është titulli i El Mundos. I ngjashëm është dhe ai i ABC, “Evropa proteston kundër Sanchez”. Ndërsa një shkrim i dedikohet dhe dëshmive të emigrantëve të rikthyer në Marok, ‘Po kthehemi në shtëpinë tonë. Spanja nuk na dha as ujë”.