
Ish-këshilltari i CDU-së gjermane, Martin Henze, ka shkaktuar një tërmet të vërtetë politik në Tiranë sa i përket krizës institucionale dhe denoncimeve ndaj pushtetit. Përmes një qëndrimi pa dorashka dhe tejet të fortë të bërë publik në rrjetet sociale, z. Henze ka deklaruar se Shqipëria ka nevojë urgjente për hetime të pavarura dhe për një fillim të ri politik për të dalë nga udhëkryqi ku ndodhet. Ai ka nëvizuar se skandali i inceneratorëve duhet të hetohet deri në nivelet më të larta të kabinetit qeveritar, i cili sipas tij, e konsideron veten të legjitimuar përmes zgjedhjeve të manipuluara, duke përmëndur dosjet “339” e “184”, të cilat u denoncuan para disa vitesh edhe nga media gjermane “BILD”. Për të garantuar transparencë të plotë mbi flukset financiare që kalojnë kufijtë, zyrtari gjerman kërkon përfshirjen e menjëhershme të Transparency International dhe autoriteteve hetimore të Europol-it.
Më tej, ai i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që të hetojë pa asnjë ndikim politik rolin personal të kryeministrit Edi Rama, në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën Federale Gjermane të Policisë Kriminale (BKA) dhe juristë të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së. Henze është shprehur se nëse lindin dyshime të mbështetura në prova, SPAK duhet të kërkojë menjëherë caktimin e masës së arrestit në shtëpi për kreun e ekzekutivit, vendim i cili i takon vetëm një gjykate të pavarur. Sipas tij, Rama duhet të largohet nga detyra gjatë kësaj periudhe hetimore, ndërsa opozita dhe mazhoranca duhet të arrijnë një marrëveshje parlamentare për krijimin e një qeverie ekspertësh me mandat të kufizuar.
Kjo qeveri teknike do të kishte si detyrë kryesore ruajtjen e dokumentacionit shtetëror, garantimin e hetimit të papenguar dhe përgatitjen e zgjedhjeve të reja, të lira e të ndershme. Teksa ka rikujtuar se prezumimi i pafajësisë vlen për çdo qytetar, Henze ka ndarë edhe disa faksimile nga koncesionet e inceneratorëve, ndërsa ka theksuar prerazi se askush nuk qëndron izoluar mbi ligjin. Ky denoncim i drejtpërdrejtë nga Gjermania pason rritjen e tensioneve politike në vend dhe hap një kapitull të ri diskutimesh mbi të ardhmen e bashkëpunimit ndërkombëtar me strukturat e drejtësisë shqiptare.Ndërkohë kujtojmë se disa vite më parë kryeministri Edi Rama vendosi të padiste gazetarin gjerman të BILD, Peter Tiede, pikërisht ditën që ai publikoi përgjime të reja lidhur me dosjen 184, ku ishin të përfshirë edhe zyrtarë të lartë të PS-së në manipulimin e zgjedhjeve. Përveç Ramës, edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda asokohe nisi hetime për nxjerrje të sekretit hetimor pasi përgjimet e dy dosjeve 184 dhe 339 të publikuara nga Tiede ishin në hetim në kuadër të krimeve zgjedhore. Më poshtë po pasyrojmë reagimin e plotë të ish-këshilltarit të CDU-së.
Postimi i plotë Martin Henze
“Berlin- Shqipëria ka nevojë për hetime të pavarura dhe për një fillim të ri politik. Skandali i inceneratorëve duhet të hetohet deri në nivelet më të larta të qeverisë Rama, e cila e konsideron veten të legjitimuar përmes zgjedhjeve të manipuluara. Transparency International duhet të shqyrtojë në mënyrë të pavarur koncesionet dhe vendimmarrjen shtetërore. Kur flukset financiare kalojnë kufijtë shtetërorë, autoritetet kompetente hetimore duhet të përfshijnë Europol-in. SPAK‑u duhet të hetojë, pa asnjë konsideratë politike, edhe rolin personal të Ramës, në bashkëpunim me specialistë të Zyrës Federale Gjermane të Policisë Kriminale dhe juristë të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian.
Nëse ndaj Ramës lind një dyshim i mbështetur në prova dhe ekzistojnë arsye konkrete për vendosjen e një mase kufizuese të lirisë, SPAK‑u duhet të kërkojë menjëherë caktimin e masës së arrestit në shtëpi. Për këtë vendos vetëm një gjykatë e pavarur, në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Nëse dyshimi përforcohet gjatë hetimit, duhet të ngrihet akuzë kundër klanit Rama. Rama duhet të largohet nga detyra gjatë kësaj periudhe hetimi. Qeveria dhe opozita duhet të arrijnë në Parlament një marrëveshje për krijimin e një qeverie ekspertësh me mandat të kufizuar në kohë. Detyra e saj do të ishte e qartë: të sigurojë dokumentacionin shtetëror, të garantojë hetime të pavarura dhe të përgatisë zgjedhje të reja, të lira e të ndershme.Prezumimi i pafajësisë vlen për këdo. Po kështu vlen edhe parimi se askush nuk qëndron mbi ligjin, as klani Rama. Shqipërisë i duhet tani një zbardhje e fakteve që mund të verifikohet dhe një qeveri së cilës qytetarët mund t’i besojnë për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme”, shkruan Martin Henze, ish-këshilltar pranë Këshillit Ekonomik të CDU-së (ëirtschaftsrat der CDU) ose grupeve të punës për Evropën Lindore/Juglindore.