Laert Vasili flet nga protesta në Shkup: Arrestime dhe bllokime në kufi gjatë tubimit për gjuhën shqipe

Laert Vasili flet nga protesta në Shkup: Arrestime dhe bllokime në kufi gjatë tubimit për gjuhën shqipe
Aktori Laert Vasili ka qenë i ftuar në një lidhje live në emisionin “Studio24” me Ola Brukon, ku ka folur mbi protestën e studentëve në Shkup në mbështetje të gjuhës shqipe.
Vasili është shprehur se situata në terren ka qenë e vështirë, për shkak të bllokimeve në rrugë dhe pranisë së forcave të rendit, duke shtuar se janë shënuar edhe arrestime gjatë dhe pas protestës.
“Situatë jo fort e këndshme, kanë ndodhur arrestime. Djali i një dëshmori është arrestuar.
U bashkova në protestë me veteranët e UÇK dhe tashmë jam në besën e tyre. Kthimi në Shqipëri do të jetë i vështirë sepse ka postoblloqe”, është shprehur aktori.
Ai ka treguar gjithashtu se ka kaluar kufirin në orët e para të mëngjesit për të shmangur bllokimet, duke theksuar se protesta ka qenë paqësore dhe e organizuar, por se gjatë shpërndarjes së saj disa persona janë ndaluar nga policia, ndërsa ata që kanë kundërshtuar urdhrat janë arrestuar.
Sipas tij, situata ka qenë e tensionuar në disa momente, por protesta në thelb është zhvilluar në mënyrë paqësore dhe në mbështetje të kërkesave të studentëve për gjuhën shqipe në Shkup.