Belinda Balluku mes të rinjve lushnjarë: Ulesh me ta dhe vetja të duket sërish 20-vjeç, më kanë surprizuar

Ish-zv.kryeministrja dhe deputetja e Partisë Socialiste, Belinda Balluku, ka zhvilluar një takim ndryshe nga mbledhjet e zakonshme politike mes anëtarëve socialistë. Këtë herë, ajo ka zgjedhur të ulet në një tryezë me të rinjtë e Lushnjës, në një bashkëbisedim të hapur dhe plot energji për të ardhmen e vendit.
Në rrjetet e saj sociale, Balluku ka ndarë disa foto mes tyre, ndërkohë që ka bërë me dije se gjatë këtij takimi kanë biseduar për shumë çka dhe i ka dëgjuar me vëmendje sugjerimet dhe shqetësimet që prekin brezin e ri.
Ndër të tjera, ish-zv, kryeministrja ka theksuar se takime të tilla i rikthejnë emocionet dhe entuziazmin e moshës 20-vjeçare, ndërsa theksoi se ajo që e surprizon gjithmonë është thellësia e mendimit dhe guximi i tyre për t’u përballur me sfidat. Sipas saj, angazhimi i të rinjve mbetet një vlerë e çmuar dhe gjithmonë i mirëpritur në rrugëtimin për zhvillimin e vendit.
“Pasditet e pranverës, nën rrezet e buta të diellit që perëndon, mes bisedave me nota pozitive për planet e së ardhmes, sugjerimeve për më shumë vëmendje ndaj çështjeve që shqetësojnë të rinjtë, por edhe ndonjë shakaje mes shokësh, janë të ëmbla pa dyshim.

Ulesh me ta dhe vetja të duket sërish 20 vjeç, por çdo herë më surprizojnë me thellësinë e mendimit dhe me guximin për t’u përballur me çdo sfidë”, shkruan Balluku.



